Aktualitet26 Shkurt 2024, 23:02

Krimi në Durrës, avokati: Boll me pseudospecilistë në emisione, po cenohet hetimi dhe po dezinfomrohet publiku

Shkruar nga Jordan Daci

Krimi në Durrës, avokati: Boll me pseudospecilistë në

Një profesionist ligjor i vërtet, shmang çdo lloj përfundimi me karakter obsolut që lidhet me një çështje kur ai nuk njeh çështjen plotësisht dhe madje edhe nëse e njeh atë,  në asnjë rast nuk duhet të përfshihen në bërjen e një “gjyqi” në publik...

Kakofonia juridike dhe njerëzore për ngjarjen e rëndë të Durrësit e shkaktuar nga specialistë e pseudospecialistë ngjanë me konceptin komunist të masave të cilat shërbenin si njësi matëse e vlerësimeve të gjithëllojshme.

Në fakt, i gjithë ky realitet i deformuar është shfaqje e një shoqërie të degraduar thuajse në çdo aspekt të jetës, e cila masivisht bazohet në shfaqje pseudointelektuale. Në thelb, kjo dhe shumë shfaqje të tjera të ngjashme e të shpeshta, bëhen nga njerëz në thelb të paaftë dhe me deformime të dëmshme në konceptet e tyre profesionale dhe shpeshherë dogmatiste e boshe. Këto pseudointelektuale, ushqejnë shoqërinë tonë me pseudoshkencë dhe me mendime krejt jo profesionale që jo rall herë mishërojnë edhe devijime të çuditshme shoqërore.

Në një shoqëri të sëmurë si e jona, mbi të gjitha nga injoranca masive dhe ku përmbysja e vlerave është masive, nuk ka sesi shoqëria jonë të mos bombardohet me këto mendime të gabuara dhe jashtë çdo logjike profesionale, të cilat gjithnjë e më shumë arrijnë deri në nivele të paimagjinueshme, sikurse idetë e periudhës fashiste që kriminaliteti lidhet me gjenet dhe se disa njerëz na trashëgojnë gjenë kriminale; d.m.th. disa njerëz na qenkan kriminelë të lindur.

E keqja e gjithë këtij pseudointelektualizmi nuk është vetëm dëmi që i shkakton shoqërisë, por edhe fakti që shumë nga protogonistët mbajnë pozicione me përgjegjësi në shoqërinë tonë dhe me qëndrimet e tyre dëmtojnë rëndë interesin publik. Ky dëm, më pas shumëfishohet nga mediat të cilat jo rrall herë për të mbushur emisionet po thërrasin dhe po u japin zë gjithëçfarëlloj njerëzish, dukshëm të paaftë dhe me formin nën mesataren e shoqërisë.

Një profesionist ligjor i vërtet, shmang çdo lloj përfundimi me karakter obsolut që lidhet me një çështje kur ai nuk njeh çështjen plotësisht dhe madje edhe nëse e njeh atë,  në asnjë rast nuk duhet të përfshihen në bërjen e një “gjyqi” në publik të personave të përfshirë duke shkelur rëndë edhe etikën profesionale të avokatit dhe jo vetëm.

Kjo ngjarje padyshim që fsheh gjëra të tmerrshme të cilat duhet t’i zbulojë organi i hetimit, por duhet hequr dorë nga gjyqet publike të cilat cënojnë rëndë ecurinë e hetimit dhe të drejtat e personave të përfshirë duke përfshirë edhe të drejtat e viktimave të krimit. Në të njëjtën kohë, media nuk duhet t’ju jap zë dhe t’i shpallë si viktima bashkëpjesëmarrësit në kryerjen e një krimi.

Kjo ngjarje si pjesë e një numri jo të vogël të tjerash ngjarjesh të rënda, kërkojnë që Shqipëria pas më shumë se 34 vjetësh nga ndërrimi i sistemit t’ju rikthet bërjes së studimeve shkencore kriminologjike me specialistë të së drejtës, sociologë e plotë specialist të tjerë për të gjetur shkaqet dhe format e kriminalitetit dhe të propozohen qasjet e duhura për politikën penale që duhet të ndjek vendi për parandalimin dhe uljen e këtyre krimeve. Në çdo rast, mjeti me i efektshëm për çdo problem, është arsimimi i cili në një vend si Shqipëria merr një rëndësi parësore.

Koha që Shqipëria t’i kthehet rrugës së dijës e me këtë rast shpresojmë që të marri fund edhe periudha e pseudointelektualëve.