
Pas një serie ngjarjesh të rënda kriminale në Sarandë, Ilir Proda, më në fund është kujtuar. Brenda 48 orëve, strukturat policore në qytetin bregdetar kanë kaluar në gjendje gatishmërie, ndërsa RENEA kreu kontrolle nga deti e toka në zona të braktisura të periferisë për kapjen e të paktën pesë personave të kërkuar, të përfshirë në dy ngjarje me armë zjarri dhe një shpërthim eksplozivi të ndodhur brenda vetëm pesë ditëve.
Një tjetër aksion u zhvillua në mbrëmjen e 23 korrikut, ku efektivë të operacionales së Vlorës, me automjete civile, ndalonin dhe kontrollonin mjete në akset turistike të Sarandës dhe Ksamilit. Këto masa vijnë pas kritikave të ashpra për mungesën e reagimit policor ndaj kriminalitetit që ka përfshirë një nga destinacionet kryesore turistike të vendit.
Por ndërsa vëmendja e efektivëve është përqendruar tek krimet e rënda, qyteti po përballet me kaos të plotë në menaxhimin e përditshëm: trafiku, plazhet dhe konfliktet e vogla po mbeten jashtë kontrollit. Problemi thelbësor lidhet me vendimin për të mbuluar të paktën katër bashki me një komisariat të vogël dhe pa kapacitetet e nevojshme, duke e lënë qytetin e mbingarkuar turistikisht në mëshirë të situatave të paparashikuara.
Ekspertët e sigurisë theksojnë se struktura të tilla nuk mund të përballojnë njëkohësisht kriminalitetin e organizuar dhe menaxhimin e sigurisë bazike, duke ngritur pikëpyetje serioze mbi planifikimin dhe menaxhimin e Policisë së Shtetit në sezonin e verës.
Lini një Përgjigje