
Presidenti i 42 i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Clinton ka mbërritur në Tiranë. Pak minuta më parë avioni i tij është ulur në aeroportin e Rinasit. Clinton u prit nga vetë Kryeministri Edi Rama në Rinas.
Pas pritjes së Clinton, kryeministri Rama reagoi me një postim në Facebook, ku lajmëroi mbërritjen e ish presidentit të 42 të SHBA-së. Ai gjithashtu ftoi të gjithë qytetarët që të mblidhen para kryeministrisë për të parë ceremoninë e mikpritjes dhe për të dëgjuar fjalimin e Clinton.
“Rinas – Me presidentin Bill Clinton, mikun e përjetshëm të kombit shqiptar, i cili sapo shkeli për herë të parë në Shqipëri.
Jeni të mirëpritur të gjithë tek Kryeministria, sot në 18:30 për ceremoninë e mikpritjes së Presidentit Clinton dhe adresimin e tij për të gjithë shqiptarët”, shkruan Rama.
Më pas Rama së bashku me Clinton do të shoqërohen me eskortë drejt kryeqytetit ku dhe do të mbahet ceremonia pritëse.
Ndërkohë Tirana është veshur me ngjyrat e flamurit amerikan. Rrugët kryesore ku do të kalojë dhe eskorta që do të shoqërojë Clintonin janë zbukuruar me flamujt e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të cilat nesër festojnë dhe Ditën e Pavarësisë.
Rreth orës 18:00 Clinton do të jetë në Bulevardin "Dëshmorët e Kombit". Pas një takimi me kabinetin qeveritar do të nisë ceremonia zyrtare ku janë ftuar të marrin pjesë dhe qytetarët.
Ish presidenti më pas do të dekorohet me dekoratën e lartë “Ylli i Mirënjohjes për Arritjet Publike” dhe më pas do të mbajë një fjalim. Vizita e Clinton, që njihet edhe si president nderi për shqiptarët, për vetë ndikimin pozitiv që ka mbajtur për Shqipërinë e Kosovën, është përshëndetur nga e gjithë politika shqiptare.
Ndërkohë, Bashkia e Tiranës do të organizojë nesër dhe një koncert në orën 20:00, në titulluar “American Night” tek Amfiteatri në Parkun e Madh të Liqenit Artificial.
Qytetarët do të mund të shijojnë këngët nga repertori amerikan, me super hite, me instrumentistët e Bandës së Qytetit, si dhe disa prej artistëve më të mirë, si: Eneda Tarifa, Ardita Meni (soprano), Gerald Murrja (tenor), Erlind Zeraliu (tenor). Pjesë e këtij koncerti do të jetë edhe Moza Bekteshi Dance Academy.
Kujtojmë se Bill Clinton gjatë mandatit të tij si president i shtetit më të fortë në botë ndikoi në miratimin dhe realizimin e vendimeve të OKB-së për ndërhyrjen e NATO-së në Luftën e Kosovës në vitin 1999, çka detyroi presidentin e atëhershëm të asaj që kishte mbetur nga Jugosllavia Sllobodan Millosheviç të pranonte kushtet e një marrëveshjeje për t'i dhënë fund fushatës së tij ushtarake kundër UÇK.
Gjithashtu si rezultat i vizitës së Clinton disa rrugët do të bllokohen. Drejtuesit e automjeteve të shfrytëzojnë rrugën dytësore nga Vora, për të qarkulluar në drejtim të aeroportit të Rinasit, pasi më datë 03.07.2023, nga ora 14:00 deri në orën 15:30, do të jetë të bllokuara rrugët:
Nga Rinasi - Qafa e Kasharit - Mbikalimi tek Casa Italia - nënkalimi te ish-sheshi “Shqiponja”.
Gjithashtu, këto rrugë do të jenë të bllokuara edhe më datë 04.07.2023, nga ora 13:30 deri në orën 15:30.
Rrugë të tjera që do të bllokohen janë:
Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nga kryqëzimi i Ministrisë së Brendshme deri te sheshi “Nënë Tereza”, rruga “Ismail Qemali”, rruga “Papa Gjon Pali II”, rruga “Ibrahim Rugova” dhe rruga “Ukraina e Lirë”.
Lini një Përgjigje