Italia, ashtu si të gjitha shtetet anëtare të Bashkimit Europian, ka të drejtë të vendosë Qendra të Qëndrimit për Riatdhesim (CPR) për emigrantët e parregullt që janë subjekt dëbimi edhe në territorin shqiptar, pa cenuar kompetencat ekskluzive të BE-së. Kjo është ajo që thekson Avokatja e Përgjithshme e Gjykatës së Drejtësisë së Bashkimit Europian, Laila Medina, në opinionin e saj lidhur me protokollin Itali–Shqipëri për menaxhimin e flukseve migratore.
Megjithëse opinioni i Avokates së Përgjithshme nuk është detyrues për vendimin përfundimtar të Gjykatës, ai e konsideron të ligjshëm funksionimin e Qendrave të Qëndrimit për Riatdhesim të ngritura nga qeveria italiane në Shqipëri, shkruan Corriere dela Sera.
Megjithatë, Medina nënvizon se shtetet anëtare mbeten të detyruara të respektojnë garancitë që legjislacioni europian parashikon në fushën e azilit. Sipas saj, dispozitat italiane të përfshira në marrëveshje nuk duket se i mbrojnë këto garanci në mënyrë mjaftueshëm të qartë.
Duket se ky qëndrim është një mbështetje për paktin firmosur nga Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni dhe homologu shqiptar, Edi Rama, por edhe një përgjigje që Brukseli iu jep kritikëve të planit, kryesisht opozitës italiane, e cila ka kundërshtuar skemën e zgjedhur nga Qeveria Meloni.
Ndërkohë, nga sot hyn në fuqi Pakti i ri Europian për Migracionin dhe Azilin, një zhvillim që pritet të ndryshojë ndjeshëm kuadrin juridik mbi të cilin janë mbështetur deri tani ankimimet e emigrantëve të mbajtur në qendrat e ngritura në Shqipëri.
Bashkimi Evropian hodhi një tjetër hap drejt modelit të qendrave të kthimit jashtë territorit të unionit.
Ambasadorët e vendeve anëtare mbështetën rregulla të reja që u hapin rrugën shteteve të BE-së të lidhin marrëveshje me vende të treta për ngritjen e qendrave ku mund të transferohen emigrantët që kanë marrë urdhër largimi nga territori evropian.
Italia konsiderohet si vendi që ka ecur më larg në këtë drejtim përmes marrëveshjes me Shqipërinë, ndërsa shihet si një model që mund të adoptohet edhe nga vende të tjera evropiane.
Në Gjadër funksionon Qendra e Qëndrimit për Riatdhesim (CPR), me kapacitet prej 96 vendesh.
Sipas të dhënave të autoriteteve italiane, që nga fillimi i funksionimit të saj janë trajtuar 527 emigrantë, ndërsa dhjetëra persona janë riatdhesuar. Qeveria e Giorgia Melonit e konsideron projektin një model të ri për menaxhimin e migracionit dhe ka shprehur vazhdimisht dëshirën që skema të ngjashme të zbatohen edhe në vende të tjera.
Nga ana tjetër, kryeministri Edi Rama ka deklaruar se modeli i qendrave të emigrantëve në Shqipëri mbetet një marrëveshje ekskluzive me Italinë dhe nuk do të zgjerohet me shtete të tjera. Gjithsesi gjithçka mbetet për tu parë, sepse së fundmi edhe Berlini kërkon një vend për të ngritur kampet e tij për azilkërkuesit që humbasin të drejtën e qëndrimit dhe duhet të riatdhesohen.
Lini një Përgjigje