Sipas njoftimit të Policisë së Tiranës, nga ora 16:00 e deri në përfundim të aktiviteteve do të ketë kufizime dhe bllokime të përkohshme të qarkullimit në disa akse rrugore të kryeqytetit.
Policia e Shtetit ka bërë publik planin e masave për garantimin e rendit dhe sigurisë gjatë aktiviteteve që do të zhvillohen pasditen e së premtes në Tiranë. Në fokus të masave janë festa e 35-vjetorit të Partisë Socialiste në Sheshin “Italia” dhe protesta e paralajmëruar nga opozita në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
Sipas njoftimit të Policisë së Tiranës, nga ora 16:00 e deri në përfundim të aktiviteteve do të ketë kufizime dhe bllokime të përkohshme të qarkullimit në disa akse rrugore të kryeqytetit.
Nga ana tjetër, opozita ka njoftuar zhvillimin e protestës së saj të 13-të, e cila pritet të nisë në orën 18:00 në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, duke shtuar masat e sigurisë të ndërmarra nga autoritetet.
Për shkak të këtyre aktiviteteve, nuk do të lejohet qarkullimi i automjeteve në rrugët “Papa Gjon Pali II”, “Dervish Hima”, “Faik Konica”, “Lek Dukagjini”, “Gjergj Filipi”, “Hasim Zeneli”, “Themistokli Gërmenji” dhe në segmentin e rrugës “Ibrahim Rugova” nga kryqëzimi me rrugën “Libri Universitar” deri në sheshin “Shopen”.
Gjithashtu, do të bllokohet qarkullimi i mjeteve edhe në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, deri në sheshin “Nënë Tereza”.
Policia u ka bërë thirrje qytetarëve të përdorin akse alternative për lëvizje dhe të respektojnë udhëzimet e efektivëve në terren, me qëllim mbarëvajtjen e aktiviteteve dhe garantimin e sigurisë publike.
Lini një Përgjigje