
Kuvendi i dalë nga zgjedhjet e 11 majit nisi sot legjislaturën e re, por seanca e parë plenare u zhvillua mes tensioneve politike dhe mungesave të bujshme.
Deputeti më i vjetër në moshë, kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha, refuzoi të hapte punimet. Pas tij, edhe Tritan Shehu i opozitës refuzoi drejtimin e seancës. Në këto rrethana, procesin e mori përsipër deputeti i Partisë Socialiste, Vasil Llajo.
Seanca u zhvillua në prani të trupit diplomatik dhe përfaqësuesve të komuniteteve fetare. Në sallë ishin edhe disa prej krerëve të institucioneve të drejtësisë, përfshirë Sokol Sadushin, kryetarin e Gjykatës së Lartë, dhe Holta Zaçen, kryetaren e Gjykatës Kushtetuese.
Por ajo që tërhoqi më shumë vëmendjen ishte mungesa e drejtuesit të SPAK, Altin Dumani dhe Kryeprokurorit Olsian Çela. Dy karriget e rezervuara për ta mbetën bosh, duke ngritur pikëpyetje mbi arsyet e mospjesëmarrjes së tyre. vetë SPAK në një reagim për “Ora News” tha se Dumani kishte një tjetër axhendë të planifikuar më herët.
“Altin Dumani nuk ishte sot pjesë e parlamentit për shkak të një axhende të paracaktuar kohë më parë", thuhet në reagimin e SPAK.
Lini një Përgjigje