
Kujtim Cakrani, avokati i Ilir Metës, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës së Posaçme për të mos pranuar kërkesën që ish-presidenti të qëndrojë jashtë kafazit të xhamit gjatë zhvillimit të procesit gjyqësor.
Në një deklaratë për mediat, Cakrani e cilësoi vendimin e gjykatës si të pajustifikuar, duke argumentuar se ai cenon standardet e një procesi të rregullt dhe krijon një perceptim negativ për sistemin e drejtësisë. Ai shtoi se mbrojtja paraqiti argumentet e saj në seancë, por se trupa gjykuese iu referua praktikave të mëparshme ndërkombëtare që nuk kanë asnjë ngjashmëri me çështjen e Ilir Metës dhe e rrëzuan atë.
“Ky është një nga ato vendime që e turpërojnë gjykatën. Ne e bëmë kërkesën tonë dhe gjykata e rrëzoi, duke iu referuar rasteve të një ukrainasi dhe një rusi. Ukrainasi akuzohej për 43 vrasje, ndërsa rusi për cenim të rendit kushtetues”, u shpreh Cakrani.
Cakrani tha se krahasimi i rastit të klientit të tij me persona të akuzuar për vepra shumë të rënda penale është i papërshtatshëm dhe nuk qëndron në aspektin juridik.
“Gjykata, nëse krahason Metën me dy terroristë, atëherë problemi është i gjykatës. Më vjen turp që një gjykatë shqiptare me formim amerikan i referohet vendimeve të Rusisë. Kë do thërrasim nga Amerika? George Bushin? Nuk mund t’i themi George Bushit të vij këtu”, u shpreh ai.
Lini një Përgjigje