Aktualitet 8 Nëntor 2023, 15:30

Kërkoi përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka dhe shuarjen e masës së sigurisë, GJKKO shtyn seancën për Jamarbër Malltezin

Shkruar nga Pamfleti

Kërkoi përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka dhe shuarjen e masës

Është shtyrë për më vonë seanca në GJKKO ku po shqyrtohet kërkesa e Jamarbër Malltezit për shuarjen e masës së sigurisë "arrest me burg". 

Në nisje të seancës avokatët e tij kërkuan argumentin e përjashtimit të gjyqtares Irena Gjoka me argumentin e moszbardhjes në kohët të vendimit.

E njëjta kërkesë është bërë edhe nga përfaqësuesit ligjorë të ish-kryeministrit Berisha, i cili gjithashtu po hetohet për të njëjtën çështje.

Fillimisht do të trajtohet kërkesa e Malltezit për përjashtimin e Irena Gjokës dhe më pas ajo e shuarjes së masës së sigurisë "arrest me burg". 

Jamarbër Malltezi u përfaqësua nga dy avokatët, Klodian Skënderi dhe Antoneta Sevdari.

Malltezi është lënë në burg nga gjykata pasi akuzohet për korrupsion dhe pastrim parash lidhur me privatizimin e ish-kompleksit sportiv “Partizani”.

Kujtojmë se, Malltezi u arrestua me urdhër të SPAK në Rinas, ndërsa Sali Berisha dhe Fatmir Bektashi janë ndaluar të udhëtojnë jashtë shtetit dhe detyrohen të paraqiten në policinë gjyqësore.

Sipas SPAK, ish-kryeministri Sali Berisha ka kryer korrupsion pasiv në bashkëpunim me Jamarbër Malltezin, bashkëshortin e vajzës së tij, ndërsa ka ndërmarrë veprime konkrete në miratim ligjesh dhe aktet nënligjore për t’i përshtatur sipas nevojave të pesë familjeve pronare në kompleksin sportiv Partizani, ku përfitues ishte drejtpërdrejt edhe dhëndri i tij.

Sali Berisha kreu veprime aktive në kontrolle administrative për të ushtruar presion dhe dha urdhra konkretë për përfundimin e procedurave të privatizimit në favor mes të tjerëve edhe të Malltezit, bashkëshorti i vajzës së tij. Po ashtu SPAK deklaroi se ish kryeministri Berisha kreu veprime aktive për të vendosur në dispozicion të Malltezit struktura të ndryshme të administratës shtetërore për realizimin e procesit të privatizimit të pronës shtetërore.

Ai dyshohet se ka kryer korrupsion pasiv në bashkëpunim me vjehrrin e tij Sali Berisha, duke shfrytëzuar pushtetin e tij si kryeministër, duke përfituar nga privatizimi i terreneve dhe objekteve sportive, nga ndryshimi i destinacionit nga zona sportive në zona banimi, shuma të konsiderueshme në cilësinë e investuesit nga shoqëria “Homeplan” sh.p.k., pa investuar në të, si dhe përfitime të marra para se të deklarohej si bashkortak në këtë shoqëri.

Ndërsa në bashkëpunim me ndërtuesin Fatmir Bektashi, Malltezi dyshohet se ka kryer pastrim të produkteve të veprës penale, duke u paraqitur si investitor në punimet për ndërtimin e bllokut të banesave, ndërkohë që nuk rezulton të ketë investuar, duke kryer veprime financiare, transaksione të copëzuara, apo në cash, për të fshehur origjinën dhe për të përfituar në mënyrë të paligjshme shuma deri mbi 5 milionë euro.

jamarber malltezi seance irena gjoka