Aktualitet15 Mars 2023, 22:58

KPA lë në fuqi shkarkimin e ish-gjyqtares Nure Dreni

Shkruar nga Pamfleti

KPA lë në fuqi shkarkimin e ish-gjyqtares Nure Dreni
Kolegji vendosi me shumicë votash të rrëzojë ankimin e ish-gjyqtares Nure Dreni ndaj vendimarjes së Komisionit për shkarkimin e saj.

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA njoftoi mbrëmjen e të mërkurës më 15 mars 2023 lënien në fuqi të vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK për shkarkimin nga detyra të ish-gjyqtares së Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, Nure Dreni. Vendimi është marrë në dhomë këshillimi me shumicë votash nga trupi gjykues i Kolegjit i kryesuar nga Natasha Mulaj, me relatore Rezarta Schuetz dhe anëtarë Albana Shtylla, Mimoza Tasi e Sokol Çomo.

Vendimi i arsyetuar i KPK-së për shkarkimin e gjyqtares Dreni bazohej kryesisht në analizën financiare për vitet 2011-2014. Sipas Komisionit, subjekti nuk arriti të justifikonte shpenzimet për udhëtimet dhe shkollim të fëmijëve në Britani.

Ish-gjyqtarja Nure Dreni ka qenë pjesë e ish-Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda që prej themelimit të kësaj gjykate në vitin 2004. Më parë, ajo ka punuar si gjyqtare në Gjykatën e Apelit të Shkodrës. Pas krijimit të institucioneve të reja të drejtësisë ajo u caktua përkohësisht në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ku e ushtroi funksionin derisa u shkarkua nga detyra. /BIRN