Sadushi theksoi gjithashtu se një Kod i paqartë Penal, nuk mund të garantojë drejtësi.
Kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, teksa po merr pjesë në tryezën e diskutimit për draftin e Kodit Penal, shprehu kritika për metodologjinë e ndjekur në hartimin e tij.
Sadushi tha se pas publikimit të draftit, kanë bërë një analizë me vërejtjet dhe propozimet konkrete, duke ia përcjellë ministrisë së Drejtësisë. Sipas tij, dokumenti prej 50 faqësh evidenton çështjet themelore, që meritojnë reflektim dhe rishikim të kujdesshëm, me synimin që Kodi i ri Penal të jetë një instrument i drejtësisë moderne, i qartë në filozofi, i zbatueshëm në praktikë dhe në shërbim të besimit të qytetarëve tek ligji.
"Kur u prezantua projekti në korrik, ngrita disa pyetje që mbeten thelbësore edhe sot: A është ky Kod i qartë dhe funksional? A është human dhe proporcional? A i flet qytetarit apo profesionistëve? A ndihmon në konsolidimin e praktikës gjyqësore apo krijon më shumë dilema? Këto nuk janë pyetje retorike, por thelbi i reflektimit për një reformë, që do të përcaktojë fytyrën e drejtësisë sonë penale për dekadat e ardhshme.
Pas publikimit të projektit të Kodit Penal dhe hapjes së konsultimeve publike, Gjykata e Lartë është përfshirë aktivisht në proces, përmes një analize të hollësishme të zhvilluar nga gjyqtarët dhe këshilltarët ligjorë të Kolegjit Penal. Kjo analizë, e mbështetur në praktikën gjyqësore dhe në nevojën për një ligj penal të zbatueshëm dhe të drejtë, është përmbledhur në një dokument të plotë prej afro 50 faqesh, me vërejtje, komente dhe propozime konkrete. I hartuar me seriozitet profesional dhe miratuar nga Mbledhja e Përgjithshme e Gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë, ai i është përcjellë zyrtarisht Ministrisë së Drejtësisë dhe Grupit të Punës, dhe sot paraqitet në këtë tryezë si shprehje e përgjegjësisë institucionale dhe e reflektimit profesional të Gjykatës së Lartë", tha Sadushi.
Sipas Gjykatës së Lartë, kryesore janë pesë shtylla: qartësia dhe siguria juridike, koherenca sistemike dhe përputhshmëria evropiane, dekriminalizimi dhe parimi i “ultima ratio”, filozofia humane e drejtësisë penale dhe respektimi i proporcionalitetit me diskrecion gjyqësor.
Sadushi theksoi gjithashtu se një Kod i paqartë Penal, nuk mund të garantojë drejtësi.
“Drejtësia nuk matet me shpejtësinë e miratimit të ligjeve, por me cilësinë e mendimit intelektual dhe respektin për lirinë e qytetarit”, tha Sadushi.
Më tej, ai shtoi se procesi i reformës duhet të rifillohet mbi baza metodologjike, transparente dhe profesionale, për të siguruar një Kod Penal modern, të drejtë dhe të besueshëm.
“Gjykata e Lartë vlerëson se procesi i reformës penale duhet të rifillohet mbi baza të qëndrueshme metodologjike dhe profesionale, jo si pengesë, por si garanci për cilësinë, integritetin dhe koherencën e sistemit penal. Kjo nuk është thirrje për ndalim, por ftesë për përmirësim e bashkëpunim, sepse vetëm një reformë e ndërtuar mbi mirëbesim mund të sjellë drejtësi që afron, jo që ndëshkon; që forcon besimin te ligji dhe te shteti, jo frikën ndaj tyre. Synimi ynë nuk është të ndalet reforma, por të forcohet; jo të kritikohet si qëllim në vetvete, por të përmirësohet, që nga ky proces të lindë një drejtësi më e qartë, më e besueshme dhe më njerëzore”, tha Sadushi.
Kujtojmë se projektligji për Kodin e ri Penal u hodh për konsultim publik më 27 gusht nga Ministria e Drejtësisë, në bashkëpunim me aktorët e sistemit të drejtësisë, partnerët ndërkombëtarë, universitetet, shoqërinë civile, mediat dhe qeverinë, si pjesë e angazhimeve për anëtarësim në BE dhe forcimin e Shtetit të së Drejtës.
Më 4 shtator nisi cikli i dëgjesave publike për draftin e shumëdiskutuar, me një seancë shpjegimore të grupit të ekspertëve, nën drejtimin e Drejtorit të Shkollës së Magjistraturës Arben Rakipi, referuar ideve, opinioneve kritike dhe pretendimeve të publikuara nga burime të ndryshme pas prezantimit të draftit në muajin korrik.
Disa nga nenet e këtij Kodi kanë nxitur reagime të forta në opinionin publik e mediatik, por nga ana tjetër disa prej tyre janë cilësuar absurde e deri qesharake nga juristë të ndryshëm.
Kodi Penal aktual është miratuar në vitin 1995 dhe që prej asaj periudhe ka pësuar 32 ndërhyrje, nga të cilat 23 ndërhyrje legjislative dhe 9 ndërhyrje me vendime të Gjykatës Kushtetuese.
Të gjitha mendimet kryetrit të Gjykatës së Lartë qëndrojnë të bëhet kodi penal sic propizon kryetari dhe gjithë gjykatë e lartë