Nga paktet e errëta të Ballkanit te sulmet me porosi, mercenari mediatik që guxon vetëm ndaj zërave të lirë, por kurrë ndaj padronëve të tij të vjetër...
Në oborrin e kullave të Edi Ramës, ku propaganda dhe servilizmi ndërthuren si merimanga mbi rrjetin e pushtetit, ka vend edhe për një pirat. Jo nga ata romantikët e librave për fëmijë, por një pirat të vërtetë mediatik, që lundron mbi ujërat e ndotura të politikës dhe nëntokës ekonomike. Baton Haxhiu, i stërvitur nga oborret e errëta të Beogradit dhe i paguar nga thesaret e padronëve të tij në Tiranë, ka ngritur velën e zezë dhe ka drejtuar topat e propagandës drejt Pamfletit. Jo sepse e shqetëson e vërteta, por sepse urdhri ka ardhur nga kapiteni i tij i vetëm, Edi Rama.
Baton Haxhiu, e ka ankoruar “anijen” e tij pirate mediatike në nisjen e mandatit të tretë të Edi Ramën në vitin 2021.
Fiks pas horrorit që shkaktoi në Kosovë, kur shqiptoi dhe mbrojti zyrtarisht paktin e fshehtë të shkëmbimit të territoreve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Kur sulmoi pa princip dhe me fjalët më të rënda kancelaren gjermane Angela Merkel dhe qeverinë e Berlinit, nga inati se i dërguan prapa hekurave sponsorin e tij, Hashim Thaçi.
Vëllezërit Devolli, me ardhjen në pushtet të Albin Kurtit, e zbuan dhunshëm Batonin, për të dhënë një shenjë se janë gati të flakin çdo shërbëtor të regjimit të vjetër.
Batoni, shërbëtori i shumë zotërinjve, duke iu ngjitur siç do të thoshte Edi Rama “si meta pas këpucës së tij” ngriti velën e zezë me kafkën kobsjellëse në detin e trazuar mediatik të Tiranës.
Krijoi një media, e cila pa hyrë në treg, vendosi zyrat në hapësirat luksoze të “Air Albania”, ku qiraja kap shifra të frikshme. Punësoi menjëherë një grup punonjësish pa asnjë eksperiencë në mediat e Shqipërisë apo të Kosovës. Pasi i kaloi në sitë të gjatë intervistash dhe zhbirilimesh, për të parë a mundet të krijojë kamikazë që i shërbejnë vetëm kauzave të tij mercenare.
Një përvojë e marrë nga mësuesit e vjetër të UDB-së famëkeqe, ku nuk e ka harruar metodën e vjetër të ‘druzhe’ Stanishiçit.
Anija pirate mediatike e Baton Haxhiut nuk ka një tregues shikueshmërie, pasi nuk ka audiencë, ka pak vizualitet reklamimi tregëtar, e megjithatë noton në para.
Po si ka mundësi?
Sepse paguhet rregullisht në mënyrë pirate nga personazhe dhe subjekte të lidhur me pushtetin politik dhe nëntokën e zezë të këtij vendi.
Ankorimi i anijes pirate të Batonit, ndodhi me urdhër të Edi Ramës për të pastruar territorin e tij nga rivalët dhe faktorët relevantë politik.
Ishte Batoni që nisi i pari dhe me forcë sulmin ndaj Erion Veliajt, në mënyrë konstante dhe të vazhdueshme, për të treguar për të gjithë se nga vinin rrufetë.
Si për “rastësi”, pikërisht në këtë kohë, Baton Haxhiu, i cili ishte sulmuar egërsisht nga Sali Berisha dhe suita e tij mediatike, u thirr si i ftuar i rregullt i medias së Berishës.
E në këtë kohë nisi pelegrinazhi i “protestave” kundër Veliajt nga Belindi, Kalaja dhe njerëzit e PD-së nga njëra anë, e nga ana tjetër paktet e fshehta ndërmjet Edi Ramës dhe Sali Berishës.
Pakte që çuan në dhënien e vulës për Berishën dhe mbylljen e listave, duke fuqizuar pushtetin gjithnjë e më shumë të çiftit të elitës së vjetër, për të penguar valën e të rinjve.
Baton Haxhiu ka qenë gjithmonë njeriu që ka bekuar “aleancat e qelbësirave”. Në 2009, me anë të “Gani Bobit” të tij bekoi aleancën e Sali Berishës me Ilir Metën dhe në 2013, atë të Edi Ramës me Ilir Metën.
Një bekim, që vjen direkt nën lidhjet e fshehta e të hapura të qarqeve më të ndyra të skutave të Serbisë.
Nuk është rastësi që pakti ndërmjet Ilir Metës dhe Edi Ramës në Shkodër, u bekua nga një delegacion “të majtësh” serbë të drejtuar nga Boris Tadiç.
Pirati Baton është mercenar ‘par exellance’ që ka goditur egër të gjithë njerëzit e grupet që i ka urdhëruar Edi Rama, në këmbim të një qese me grosh, fiks si Juda Iskarioti.
Por ndryshe nga ai, Baton Haxhiu nuk është penduar kurrë edhe pse i ka kthyer shpinën e tradhëtuar të gjithë njerëzit që e ngritën dhe që i dhanë atë që ka arritur. Vetëm një nuk ka tradhëtuar kurrë dhe nuk guxon as ta përmendë; shefi i tij i vjetër në UDB.
Dje, me urdhër të Edi Ramës, pirati Baton kishte shkruar një fletërrufe për sulmin ndaj news 24, duke adresuar edhe shënjestrën e radhës së “Neronit të shekullit të 21”.
Në krye të kësaj liste kishte vendosur Pamfletin, ankthin e Edi Ramës, për të cilin flet gjithmonë me skllevërit e tij me gulçima të shkumëzuara.
Baton Haxhiu e pranon në sulmin e tij, se Pamfleti është një media që e pëlqejnë njerëzit, që e lexojnë, ndjekin dhe shpërndajnë. Ndryshe nga portali i tij të cilën nuk e lexon kush, por vetëm njihet sepse i shpërndan shkrimet me porosi nëpër mediat pranë Edi Ramës.
“Pamfleti” nuk është portal Baton, është një media online që transmeton në të shkruar, audio, video, rrjete sociale e në gjuhë të huaja.
Është një media që ka 20 gazetarë e punonjës të siguruar, të cilët kujdesen çdo minutë për t’i shërbyer vetëm lexuesve dhe shikuesve të saj, që janë jo pak. Sepse ata, e shohin se “Pamfleti” nuk shitet e blihet, por i bie në kokë, fort dhe pa kompromis të gjithë zuzarëve që e kanë shkatërruar këtë vend dhe po i varfërojnë shqiptarët.
“Pamfleti” nuk është një velë pirate që është ankoruar në oborrin e kullave të Edi Ramës, por një media serioze dhe kurajoze e përbërë nga njerëz të fortë që kanë vendosur të qëndrojnë në vendin e tyre, të jetojnë me dinjitet.
Duke jetuar me filozofinë e Spartanëve në Termopile: “më mirë të vdesim në këmbë sesa të jetojmë të gjunjëzuar”. Po ti Baton nuk e kupton këtë, pasi je zvarritur gjithë jetën!/Pamfleti
Lini një Përgjigje