
Meta përballje në Apel për lirinë, Irena Gjoka vendos nëse dosja do të kalojë për gjykim
Dita e sotme do të jetë shumë e ngarkuar për ish-presidentin Ilir Meta. Teksa prej afro një vit ndodhte në qeli, sot Meta ka dy beteja të rëndësishme në Gjykatën e Posaçme dhe në Apel, kudo të vendoset së pari nëse dosja në ngarkim të tij do të kalojë për gjykim dhe së dyti nëse do të dalë apo jo nga qelia.
Për të qenë më të saktë, Meta ka apeluar masën e tij të sigurisë dhe sot do të mbahet seanca ku do të vendoset nëse do të ketë liri apo do të vijojë të qëndrojë në qeli.
Nga ana tjetër sot pritet të zhvillohet në GJKKO seanca e radhës paraprake si ndaj Metës, ashtu edhe ndaj Kryemadhit dhe të akuzuarve të tjerë, ku gjyqtarja Irena Gjoka do të vendosë nëse çështja do të kalojë për gjykim apo do të kthehet për rishqyrtim.
Seanca e kaluar paraprake u shty për shkak të mungesës së avokatit të Monika Kryemadhit. Gjatë seancës, gjyqtarja Gjoka vendosi gjithashtu pezullimin e afateve të paraburgimit për ish-presidentin Meta.
Në seancën e kaluar SPAK njoftoi një provë të re, një letër-porosi e ardhur nga SHBA që lidhet me pagesa në çështjen e lobimit.
Më 29 gusht Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka mbyllur hetimet dhe ka dërguar për gjykim ish-Presidentin Ilir Meta, ish-bashkëshorten e tij Monika Kryemadhi, nënën e kësaj të fundit Fatime Kryemadhi, Pirro Xhixhon dhe Ema Çokun, në kuadër të hetimit për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie për aferën CEZ-DIA dhe lobimin në SHBA.
Hetimi i SPAK ka nisur në vitin 2019 dhe është zgjeruar në vitet pasardhëse në bazë të kallëzimeve të ndryshme, të cilat u bashkuan në një të vetëm në vitin 2024.
Sipas akuzës, Meta akuzohet për korrupsion në 3 raste të ndryshme, 2 prej të cilave i ka kryer në bashkëpunim.
Ish-Presidenti akuzohet për korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë, pastrim parash e mosdeklarim pasurie.
Ish-bashkëshortja e tij Monika Kryemadhi akuzohet për korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë në 2 raste, pastrim parash dhe mosdeklarim pasurie.
Pirro Xhixho akuzohet gjithashtu për korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë të kryer në bashkëpunim.
Kurse mamaja e Monika Kryemadhit, Fatime Kryemadhi akuzohet për pastrim parash, së bashku me Ema Çokun.
SPAK bën me dije se hetimet kanë zbuluar që Ilir Meta dhe Monika Kryemadhit, duke shfrytëzuar pushtetin dhe influencën politike kanë favorizuar biznese të caktuara kundrejt përfitimeve monetare.
Episodet e dokumentuara tregojnë 5 të akuzuarit e mësipërm kanë bashkëpunuar në rastet e korrupsionit dhe pastrimit të parave.
Për të kompletuar këtë dosje, SPAK thotë se ka bashkëpunuar me autoritetet në SHBA, Austri, Itali, San Marino dhe Qipro.
Lini një Përgjigje