Kreu i Prokurorisë së Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, Altin Dumani, është takuar në Romë me Krerët e Prokurorisë së Antimafias dhe Antiterrorit në Itali.
Sipas njoftimit të publikuar nga zyra e shtypit e SPAK, bëhet me dije se gjatë takimit u evidentua se bashkëpunimi mes në fushën e luftës kundër terrorizimit ka qenë efektiv dhe duhet rritur edhe më shumë.
“Me datë 20 Qershor 2023, me ftesë të Prokurorit Kombëtar Antimafia dhe Antiterrorizmit Itali, (DNAA) zotit Giovanni Melillo, Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme dhe Drejtuesi i Sektorit Bashkëpunimit Ndërkombëtar në Prokurorinë e Posaçme zhvilluan një takim pune në Romë.
Në takimin koordinues merrnin pjesë dhe prokurorë të Prokurorisë Antimafia dhe Antiterrorizmit (DNAA)
Objekt diskutimi ishin rastet e bashkëpunimit ndërmjet SPAK dhe DNAA, rezultatet e arritura dhe problematikat e konstatuara. Konkluzioni ishte që bashkëpunimi ka qenë konkret, efektiv dhe shumë i suksesshëm.U ra dakort që për të ardhmen ky bashkëpunim ndërmjet dy institucioneve të rritet në një nivel më të lartë.”, njofton SPAK.
Ju rikujtojmë se para dy ditësh me urdhër të SPAK, Policia e Shtetit, përfshirë edhe forcat RENEA zbarkuan për herë të parë në kampin e MEK në Manzë të Durrësit, ku janë të strehuar anëtarë të opozitës iraniane.
Operacioni është kryer në zbatim të urdhër-kontrolleve të nxjerra nga Gjykata pas kërkesës së SPAK. Ndërkohë forcat e policisë shqiptare janë hasur edhe me rezistencën e iranianëve brenda në kamp.
Urdhrin për kontrolle e ka lëshuar GJKKO, pas dyshimeve për terrorizëm dhe sulme kibernetike.
Lini një Përgjigje