
Betejë e fortë në prapaskenë për kreun e SPAK dhe BKH...
Kreu i SPAK pritet të zgjidhet më 11 dhjetor. Këshilli i Lartë i Prokurorisë duket se ka zyrtarizuar datën kur do të pyeten 4 kandidatët dhe pritet që brenda të njëjtës ditë të bëhet edhe votimi.
Pak ditë më parë u bë me dije se seanca do të jetë më 4 dhjetor, por sipas gazetares Anila Hoxha, KLP ka vendosur sot që seanca dëgjimore të mbahet më 11 dhjetor.
Prokurorët Adnand Xholi, Klodian Braho, Doloreza Musabelliu dhe Elvin Gokaj pasi të dëgjohen dhe të pyeten, do të votohen. Më 18 dhjetor i mbaron mandati Altin Dumanit dhe pritet që në të njëjtën datë ai t’i dorëzojë detyrën pasardhësit.
Sipas burimeve, prej muajsh ka lëvizje të forta në prapaskenë mbi kreun e ri. Vetë Altin Dumani po lobon fort për të emëruar Klodian Brahon.
Vetë “Pamfleti” ka denoncuar se si janë bërë pazare me anëtarë të KLP-së duke bërë dhe amnisti në procesin e vettingut apo duke punësuar fëmijët e anëtarëve në SPAK. Nga ana tjetër, kulisat thonë se vetë qeveria po tenton fort të vendosë aty një besnik të saj, sidomos pas zhvillimeve të ditëve të fundit, ku SPAK ka shkuar deri te numri dy i qeverisë.
Por loja më e pistë duket se po zhvillohet për kreun e BKH-së, ku edhe aty ka së paku dy grupime që po përplasen. Kreu i ri i BKH-së duhej të ishte zgjedhur që më 31 gusht, por procedurat janë zvarritur ditë pas dite. Gjatë raportimit në Kuvend, kryetarja e KLP-së, Mirela Bogdani, tha se drejtuesi i ri do të zgjidhet para datës 10 nëntor.
“Lidhur me procesin e drejtuesit të BKH-së, në komunikim me strukturat e Prokurorisë së Posaçme, për shkak të verifikimeve disi të zgjatura të aplikimeve për kandidatët, rreth datës 10 nëntor do të finalizohet procesi”, tha ajo.
Por edhe kjo datë dështoi. SPAK ende nuk ka finalizuar procesin e verifikimit të figurës dhe pasurisë së 7 kandidatëve për kreun e BKH-së. Në fund, komisioni me 3 anëtarë (Altin Dumani, Arben Kraja, Behar Dibra) duhet të përzgjedhë një emër dhe t’ia dërgojë KLP-së. Vetë Dumani po bën luftë për të vënë aty një besnik të tij, por nuk po merr aprovimin nga dy anëtarët e tjerë, ku thuhet se ka pasur edhe përplasje me Arben Krajën.
Nga ana tjetër, flitet se edhe politika ka futur duart. Organet qeveritare po vonojnë kthimin e përgjigjeve mbi vetingun që po bëhet për 7 kandidatët. Ndërkohë që ka ndërhyrje edhe deri në KLP. Pra, duket se një lojë e pistë po bëhet në prapaskenë dhe nuk është çudi të kemi surpriza tek emrat e dy organeve kryesore të luftës antikorrupsion. /Pamfleti
Lini një Përgjigje