TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet17 Qershor 2026, 16:33

Mbi 120 akademikë të diasporës mbështesin protestën, më 20 dhe 23 qershor priten marshime nga Shkodra në Tiranë

Shkruar nga Pamfleti
Mbi 120 akademikë të diasporës mbështesin protestën,
Pamje nga protestat

Intelektualët kërkojnë më shumë transparencë, drejtësi dhe reforma në arsim, ndërsa shqiptarë nga diaspora pritet t’u bashkohen marshimeve të paralajmëruara në qershor...

Mbi 120 akademikë dhe intelektualë shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në vende të ndryshme të botës kanë shprehur publikisht mbështetjen e tyre për protestën në Shqipëri dhe kërkesat e protestuesve për një “Shqipëri të re”.

Përmes një deklarate të përbashkët, firmëtarët i kanë cilësuar legjitime kërkesat për një qeverisje më të përgjegjshme, më transparente dhe më të drejtë, si dhe për institucione që të jenë në shërbim të qytetarëve dhe jo të pushtetit.

Në deklaratën e tyre, akademikët e diasporës e lidhin krizën aktuale edhe me situatën në arsim, shkencë dhe inovacion. Sipas tyre, politikat e ndjekura ndër vite kanë toleruar nënfinancimin e sektorit, mungesën e meritokracisë, dobësimin e integritetit akademik dhe krijimin e lidhjeve klienteliste, duke penguar zhvillimin afatgjatë të vendit.

Pa arsim cilësor, pa kërkim shkencor serioz, pa inovacion dhe pa meritokraci, nuk mund të ketë zhvillim të qëndrueshëm, ekonomi konkurruese apo institucione të forta demokratike”, thuhet në deklaratën e mbështetjes.

Firmëtarët theksojnë se mungesa e financimit të qëndrueshëm, ndërhyrjet politike në universitete, autonomia e brishtë akademike dhe shkëputja e arsimit nga zhvillimi ekonomik janë pjesë e së njëjtës krizë që, sipas tyre, qytetarët po e kundërshtojnë përmes protestave.

Në përfundim të deklaratës, akademikët shprehin gatishmërinë për të kontribuar me ekspertizën dhe përvojën e tyre në procesin e reformimit të institucioneve dhe ndërtimin e një modeli të ri qeverisjeje në interes të publikut.

Ndërkohë, aktivistja shqiptare në Berlin, Oneda Vruzhaj, njoftoi se në ditët në vijim do të zhvillohen disa marshime proteste nga Shkodra drejt Tiranës, ku më të mëdhatë janë planifikuar më 20 dhe 23 qershor.

E ftuar në një intervistë televizive, Vruzhaj deklaroi se grupe të shumta shqiptarësh nga diaspora, përfshirë nga Berlini, po organizohen për të udhëtuar drejt Shqipërisë dhe për t’u bashkuar me tubimet.

Ajo tha se protesta ka krijuar një frymë mobilizimi mes shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit, veçanërisht tek të rinjtë, duke i bërë thirrje qytetarëve të mos dorëzohen dhe të vazhdojnë mbështetjen për nismën që synon ndryshime politike dhe institucionale në vend.

shkoder protesta

1 Komente

  1. E
    Enveri

    Duhet të kishit reaguar vite më parë sepse tashmë shqipëria është tjetërsuar dhe ka kaluar në dorë të mafies lidhur me pushtetin dhe është e vështirë të shkulet me rënjë.

    Lini një Përgjigje