TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet27 Qershor 2026, 22:52

Mbyllet marshimi i ditës së 28-të, protestuesit rikthehen para Kryeministrisë mes thirrjeve patriotike

Shkruar nga Pamfleti
Mbyllet marshimi i ditës së 28-të, protestuesit rikthehen para
Mbyllet marshimi

Pas disa orësh marshim në rrugët e kryeqytetit, protestuesit janë rikthyer para godinës së Kryeministrisë, duke mbyllur edhe ditën e 28-të të revoltës qytetare kundër qeverisë dhe klasës politike.

Pasi u nisën nga Kryeministria, qytetarët kaluan fillimisht në Unazë, më pas në zonën e Ish-Bllokut dhe u kthyen përgjatë Bulevardit "Dëshmorët e Kombit", për t'u rikthyer në pikën ku nisi tubimi, te Kryeministria.

Gjatë rrugës, një pjesë e protestuesve u larguan, ndërsa qindra të tjerë vijuan marshimin deri në fund, duke shoqëruar kolonën me flamuj kuqezi dhe brohoritje të pandërprera patriotike.

Edhe në kilometrat e fundit të marshimit nuk munguan thirrjet që kanë shoqëruar protestën përgjatë katër javëve të fundit, si "Rama jep dorëheqjen", "Rama ik", "Shqipëri e re", "Rama në burg" dhe "Berisha në burg".

Me rikthimin para Kryeministrisë, atmosfera u shoqërua me këngë dhe thirrje patriotike, ndërsa protestuesit valëvitën flamujt kombëtarë dhe përsëritën se protesta do të vijojë deri në plotësimin e kërkesave të tyre.

Organizatorët deklaruan se revolta qytetare nuk do të ndalet, duke theksuar se lëvizja, e cila nisi si një protestë për mbrojtjen e Zvërnecit, është shndërruar tashmë në një lëvizje mbarëkombëtare kundër qeverisë dhe gjithë kastës politike.

marshim proteste

Lini një Përgjigje