Protestat qytetare kundër qeverisë dhe klasës politike kanë hyrë në ditën e 14-të, ndërsa qindra qytetarë janë mbledhur këtë të diel para Kryeministrisë në Tiranë, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe ndryshim të sistemit politik në vend.
Nën thirrjet “Rama jepe dorëheqjen”, “Berisha në burg, Rama në burg” dhe “Shqipëri e Re”, protestuesit u mblodhën përpara selisë së qeverisë, duke vijuar mobilizimin që prej gati dy javësh ka përfshirë zona të ndryshme të vendit.
Lëvizja protestuese e ka zanafillën te kundërshtimi i projekteve turistike në bregdet, fillimisht në Zvërnec dhe më pas në Rrjoll, ku banorët kanë ngritur shqetësime për mbrojtjen e pronës private, transparencën e investimeve strategjike dhe ndikimin e tyre në mjedis. Megjithatë, me kalimin e ditëve, protesta ka marrë një karakter më të gjerë politik, duke u shndërruar në një manifestim kundër qeverisë dhe asaj që organizatorët e quajnë “kastë politike e tranzicionit”.
Gjatë tubimit u vunë re flamuj kombëtarë shqiptarë, por edhe simbole të shteteve ku jetojnë emigrantët shqiptarë. Në veçanti dominuan flamujt e Mbretërisë së Bashkuar, ndërsa një numër i konsiderueshëm emigrantësh kanë udhëtuar drejt Shqipërisë për t'iu bashkuar protestës.
Sipas organizatorëve, pjesëmarrja e emigrantëve është rezultat i thirrjeve të bëra ditët e fundit për një mobilizim mbarëkombëtar, me synimin për të zgjeruar lëvizjen dhe për t'i dhënë asaj një shtrirje më të madhe brenda dhe jashtë vendit.
Protestuesit deklarojnë se tubimet do të vijojnë edhe në ditët në vijim, duke këmbëngulur se kërkesat e tyre tashmë shkojnë përtej çështjeve lokale dhe lidhen me ndryshime të thella politike dhe institucionale në vend.
Lini një Përgjigje