Protestuesit janë shfaqur sërish me pankarta, thirrje dhe mesazhe kundër Ramës dhe kastës së vjetër të politikës...
Ka nisur pasditen e kësaj të shtune protesta e 14-të radhazi e organizuar në Tiranë, ku qytetarë nga kryeqyteti dhe qytete të tjera të vendit janë mbledhur përpara Kryeministrisë.
Pjesëmarrësit kanë filluar të grumbullohen në zonën e protestës që në orët e pasdites, duke mbajtur pankarta dhe flamuj kombëtarë. Organizatorët kanë bërë thirrje për pjesëmarrje masive, duke e cilësuar këtë tubim si një vazhdim të reagimit qytetar ndaj problematikave që, sipas tyre, prekin vendin.
Protesta e sotme shënon tubimin e 14-të radhazi, duke vijuar një seri manifestimesh të mbajtura në javët e fundit. Në fokus të saj janë kërkesat për më shumë transparencë, llogaridhënie institucionale dhe adresimin e shqetësimeve të ngritura nga protestuesit.
Në vendngjarje janë vendosur forca të shumta policie për të garantuar rendin dhe sigurinë gjatë zhvillimit të tubimit. Deri në momentin e publikimit të këtij lajmi, protesta po zhvillohet pa incidente.
Ashtu si në ditët e tjera, edhe sot pritet të mbahen fjalim para godinës së kryeministrisë, e më pas priten marshime në rrugët e kryeqytetit. Sot pritet një pjesëmarrje më masive, pasi qytetarët që kanë marrë përsipër organizimin e protestës u kanë bërë thirrje shqiptarëve nga të gjitha zonat e vendit, por edhe atyre që jetojnë jashtë Shqipërisë, të solidarizohen dhe t’i bashkohen tubimit.
Ajo që bie në sy gjatë këtyre ditëve është fakti se protesta ka tejkaluar prej kohësh kauzën që e ndezi fillimisht. Në rrugët e Tiranës nuk dëgjohen vetëm thirrje kundër qeverisë, por edhe kundër klasës politike në tërësi, duke reflektuar një pakënaqësi më të gjerë që shkon përtej një çështjeje të vetme.
Për shumë prej pjesëmarrësve, protesta është shndërruar në një reagim ndaj korrupsionit, keqqeverisjes, largimit të të rinjve nga vendi, mungesës së besimit te institucionet dhe tranzicionit të zgjatur politik që ka dominuar Shqipërinë për më shumë se tre dekada.
Mediat ndërkombëtare kanë transmetuar “live” protestën në Tiranë, që në ditën e 11-të, konsiderohet ndër më të mëdhatë që është organizuar në kryeqytetin shqiptar në të paktën 20 vitet e fundit. E veçanta e protestave qytetare është se ato janë krejtësisht paqësore dhe nuk është regjistruar asnjë incident, çka duket se ka mbajtur larg edhe forcat e sigurisë, që gjithësesi e monitorojnë nga larg situatën.
Lini një Përgjigje