TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet21 Qershor 2025, 18:22

Media amerikane: Resorti fantazmë i Kushnerit në Sazan, me mina, gjarpërinj dhe pastrim parash nën hijen ruse!

Shkruar nga Mitchell Prothero

Media amerikane: Resorti fantazmë i Kushnerit në Sazan, me mina,

Sazani bëhet ‘parajsë’ për miliarderët: Kushner, Aman dhe një skemë me erë Moske e Beograd...

Në vitin 1948, një grup oficerësh ushtarakë sovjetikë dhe inxhinierë gjermanë lindorë vizituan ishullin Sazan të Shqipërisë (atëherë i njohur si Saseno), një masiv graniti me sipërfaqe 5.7 km², i vendosur në mënyrë strategjike midis një baze të Marinës Sovjetike në Shqipërinë kontinentale dhe “thembrës” së Italisë.

Sipas raporteve të deklasifikuara të CIA-s, rusët dhe aleatët e tyre të Luftës së Ftohtë kaluan dekadën në vijim duke gërmuar një rrjet të ndërlikuar bunkeri dhe tunelesh të nëndheshme, të afta të përballonin një sulm bërthamor, ndërtuan vende të fortifikuara për nëndetëse dhe mbuluan terrenin e thyer me armë kundërajrore, raketa me rreze të gjatë, fusha minash dhe llogore.

Ishte një vend perfekt për të bllokuar Detin Adriatik në rast të Luftës së Tretë Botërore dhe, siç vuri re CIA, me më shumë se 90 për qind të vijës bregdetare të ishullit përbërë nga shpate shkëmbore të pjerrëta deri në 330 metra lartësi, Sazani ishte praktikisht i paprekshëm ndaj sulmeve.

Sot, Sazani është i pabanuar. Shpatet thuajse vertikale janë të mbuluara me bimësi të egër dhe lugina të pakalueshme. Nuk ka furnizim natyror me ujë, terrenet e rralla të sheshta janë të minuara dhe mbipopullimi nga gjarpërinj helmues ka bërë që qeveria shqiptare të ndalojë kampimin.

Me fjalë të tjera, është vendi ideal që kompania Affinity Partners e Jared Kushner-it të investojë në një resort luksoz për udhëtarët e pasur që dëshirojnë një pamje që të kujton videolojën Call of Duty.

Koreja e Veriut e Europës

Kushner ka plane të mëdha për Shqipërinë dhe popullsinë e saj prej afro tre milionë banorësh – dhe jo të gjitha janë të çmendura. Për shkak të historisë komuniste dhe reputacionit gjatë Luftës së Ftohtë si “Koreja e Veriut e Europës”, Shqipëria është një nga vendet e fundit të pashfrytëzuara në Europën Perëndimore.

Vijat bregdetare të Adriatikut rivalizojnë ato të Greqisë, Malit të Zi dhe Kroacisë, ndërsa ujërat janë kristal të pastra, kryesisht sepse regjimi i Enver Hoxhës zhvilloi pak industri. Pushtimet njëmijëvjeçare nga grekë, romakë, otomanë dhe italianë sollën një kuzhinë unike, më të mirën në Ballkan. Përtej plazheve, vargmalet e njohura si “Bjeshkët e Nemuna” ofrojnë peizazhin më të egër dhe të paprekur në Europë, atraktive për alpinistët dhe aventurierët.

Shqipëria shpreson të anëtarësohet në BE më 2030 dhe turizmi është rritur ndjeshëm: nga 2.5 milionë vizitorë më 2019 në mbi 11 milionë në 2024. Megjithatë, vendi ende nuk është parë gjerësisht si një destinacion investimi nga investitorët tradicionalë.

“Shqipëria është një nga historitë më pozitive në Ballkan sepse ka progres në sundimin e ligjit, mbrojtjen e investitorëve dhe stabilitetin politik,” tha një analist imobiliar në Tiranë që kërkoi të mbetet anonim. “Por problemet mbeten serioze: korrupsioni është i rrënjosur në infrastrukturë dhe ndikimin politik. Ka gjithashtu shqetësime për kulturën e pastrimit të parave dhe krimin e organizuar.”

Një gazetar investigativ shqiptar shtoi: “S’ka të mirë në këtë histori. Politika është një sport vdekjeje mes familjeve elitare. E vetmja reformë e vërtetë është ndjekja penale e kundërshtarëve. Po, janë fajtorë, por gjithmonë motivimi është politik.”

Zona ushtarake

Me miliarda investime nga Arabia Saudite dhe një vjehërr në Shtëpinë e Bardhë që është i rehatshëm me politikën si sport gjaku, hetimet e synuara dhe marrëveshje të dyshimta pronash, Kushner e pa Shqipërinë më shumë si një mundësi sesa si rrezik.

Në korrik 2023, Kushner, Ivanka Trump dhe Richard Grenell (ish-emisar special për Serbinë dhe Kosovën), iu bashkuan kryeministrit Edi Rama në një muze vendas, në atë që mendohet të ketë qenë pika nisëse e diskutimeve. Marrëveshja u shpall zyrtarisht nga Kushner në një intervistë për Bloomberg në mars 2024, duke paraqitur tre projekte zhvillimi me vlerë disa miliardë dollarë.

Projekti i parë, një resort dhe rezidenca buzë detit në veri të Vlorës, pranë një aeroporti në ndërtim, ka ngjallur reagime nga ambientalistët për dëmtim të ekosistemit. Por administrata Rama i ka injoruar këto shqetësime.

Por përfshirja e ishullit Sazan në këtë projekt ngjalli më shumë pyetje. Fillimisht nga ushtria shqiptare, që kundërshtoi duke thënë se ishulli ishte ende “zonë e mbyllur ushtarake”—derisa qeveria Rama ndryshoi statusin.

“Nën Hoxhën, s’mund të flisje për Sazanin,” thotë Agimi, një taksist 60-vjeçar që shërbeu si ushtar në ishull në vitet ‘80. “Ka tunele e bunkerë aq thellë sa as bomba atomike s’i prek. Jeta ishte e tmerrshme. Uji vinte me anije, s’kishim energji, as ushqim.”

Sot, anijet turistike ndalojnë vetëm për të parë bunkerët. Aty pranë është një stacion i vogël doganor italo-shqiptar. Plazhi është shkëmbor dhe pjesa tjetër e bregut përfundon në gremina vdekjeprurëse.

Gjatë intervistës për Bloomberg, Kushner prezantoi imazhe të resortit të ardhshëm. Shtigjet për në kabinat futuristike duken si nga filmat e James Bond. Por pyetja mbetet: si arrin aty? Çdo gjë, nga uji te ushqimi, do të vijë me anije. Dhe plehrat? Askush nuk e di.

Jo për të pasurit e zakonshëm

Kushner është bashkuar me Aman Resorts, një kompani që menaxhon hotele ultra-luksoze dhe të izoluara. Aman ofron përvojë për klientelë super të pasur—një natë në New York kushton 2,700 dollarë. Projekti në Sazan thuhet se do të ketë vetëm 40 njësi, duke reflektuar indiferencën ndaj sfidave logjistike. Nëse duhet të pyesësh sa kushton uji që të sjellin me helikopter, atëherë nuk mund ta përballosh këtë resort.

Aman është në pronësi të oligarkut ruso-zviceran Vladislav Doronin, i pasuruar në vitet ‘90 përmes marrëveshjeve të errëta me tregtarin e arratisur Marc Rich—njeri i cili u fal nga Bill Clinton më 2001 pasi ishte në kërkim për mashtrim, pastrim parash dhe tregti nafte me Iranin gjatë krizës së pengjeve.

Në 2014, Doronin mori kontrollin e Aman Resorts me mbështetjen e Capital Group, një fond i lidhur me Rich, dhe filloi zgjerimin agresiv që përfshin edhe Sazanin.

Përveç disa shqetësimeve mjedisore për aeroportin e Vlorës, Affinity nuk është përballur me ndonjë rezistencë nga rregullatorët shqiptarë, që e miratuan investimin menjëherë pas rizgjedhjes së Trump.

Por një marrëveshje e ngjashme në Beograd, me vlerë gjysmë miliard dollarë, për të kthyer rrënojat e bombardimeve të NATO-s në rezidenca, ka hasur kundërshtime. Edhe pse presidenti serb Vuçiq e mbështet publikisht projektin, është detyruar të hapë një hetim penal për ndryshimin e statusit të zonës nga monument i viktimave në pronë private.

Në Shqipëri, lidhja e Grenell me rajonin ka ndihmuar për të zbutur tensionet. Megjithatë, kreu i mëparshëm i sigurisë së Aman-it, Charles McGonigal, një ish-agjent i FBI-së, u dënua me 78 muaj burg për shkelje të sanksioneve amerikane dhe pastrim parash në favor të oligarkut rus Oleg Deripaska dhe një ish-agjenti shqiptar të lidhur ngushtë me Ramën.

Kombinimi i marrëveshjeve me oligarkë rusë, agjentë të korruptuar dhe lidhje të ngushta me Trump dhe familjen e tij e bën projektin të jashtëzakonshëm. Por Rama tregon mjeshtëri për të naviguar mes këtyre qarqeve. Vetëm javën e kaluar, ai bëri një dolli në dasmën e Alex Soros me bashkëshorten e ish-ndihmëses së Hillary Clinton, Huma Abedin.

Nëse një ishull i paarritshëm, me mina e bunkerë të epokës së Luftës së Ftohtë, është një vend i përshtatshëm për një resort luksoz, mbetet për t’u parë. Por ndoshta Kushner dhe investitorët sauditë shohin përfitime më të mëdha se fitimi financiar. /Përshtati “Pamfleti” nga “Air Mail”

Lini një Përgjigje