
Një tjetër anije me emigrantë të dëbuar ka mbërritur këtë të enjte në portin e Shëngjinit, duke sjellë në tokën shqiptare edhe 15 persona të tjerë, të cilëve u është refuzuar kërkesa për azil në Itali.
Mjeti i rojës bregdetare italiane është ankoruar në port rreth orës 18:00 dhe, pas procedurave të përshpejtuara në qendrën pritëse, të huajt do të transferohen në kampin e Gjadrit.
Ky është kontingjenti i katërt që mbërrin në Shqipëri si pjesë e marrëveshjes së diskutueshme mes qeverisë shqiptare dhe asaj italiane, e firmosur nga kryeministrat Edi Rama dhe Giorgia Meloni. Marrëveshja, e kritikuar nga disa organizata të të drejtave të njeriut, parashikon që emigrantët që ndalohen në ujërat italiane dhe nuk marrin azil, të dërgohen për përpunim të mëtejshëm në Shqipëri.
Sipas burimeve zyrtare, aktualisht në kampin e Gjadrit po strehohen rreth 30 emigrantë, ndërsa mungon transparenca për origjinën, statusin ligjor dhe kushtet e trajtimit të tyre.
Lini një Përgjigje