
Komiteti i Azilit dhe Emigracionit: Të pezullohet zbatimi i protokollit Itali-Shqipëri
Një koalicion i gjerë organizatash italiane dhe ndërkombëtare që punojnë në fushën e të drejtave të emigrantëve dhe azilkërkuesve kanë kërkuar mbylljen e Gjadrit.
Komiteti i Azilit dhe Imigracionit prezantoi raportin "Plagët Kufitare. Faza e Re e Modelit të Shqipërisë", rezultat i vizitave monitoruese në qendrën Gjadër në Shqipëri, në bashkëpunim me grupet e kontaktit të Parlamentit Italian dhe Bashkimit Evropian.
Sipas raportit, në fillim, marrëveshja parashikonte transferimin e azilkërkuesve të ndaluar në det nga vende të cilësuara “të sigurta” nga Italia. Por që prej prillit, procedura është ndryshuar, duke përfshirë dërgimin me forcë në Gjadër të personave të mbajtur tashmë në qendrat e ndalimit për riatdhesim (Cpr) në Itali.
Më tej thuhet se kjo ka krijuar një formë të re të ndalimit administrativ transnacional, ku mungon transparenca, kufizohen të drejtat individuale dhe shmanget kontrolli gjyqësor, duke krijuar një “hapësirë ligjore dhe materiale jashtë çdo garancie demokratike”. Organizatat që kanë realizuar monitorimin nënvizojnë edhe problemet shëndetësore dhe humanitare në këtë strukturë.
Thirrja: Pezullim i menjëhershëm
Raporti kërkon pezullimin e menjëhershëm të zbatimit të protokollit Itali–Shqipëri, duke argumentuar se shkeljet e të drejtave janë të rënda dhe se ndalimi jashtë territorit kombëtar është një hap i rrezikshëm për të ardhmen e politikave evropiane të migracionit.
Sipas autorëve, kjo praktikë përfaqëson një model të eksternalizimit të kontrollit të migracionit që minon vetë parimet e së drejtës evropiane dhe ndërkombëtare, duke rrezikuar që, nëse ndiqet nga shtetet e tjera dhe nga Bashkimi Evropian në kuadër të Paktit të ri për Migracionin dhe Azilin, të zbrazet nga përmbajtja e tij vetë e drejta e azilit.
Organizatat sinjalizojnë se rreziku i një “erodimi të vlerave themeluese të BE-së” është real dhe ende nuk është kuptuar plotësisht nga institucionet, duke paralajmëruar mobilizim të shoqërisë civile italiane dhe evropiane në të gjitha nivelet.
Në nismë morën pjesë mbi 40 organizata, ndër to Amnesty International Italia, Medici Senza Frontiere, Emergency, Save the Children, Caritas Italiana, Oxfam Italia, ARCI, CGIL, Comunità di Sant’Egidio, Legambiente dhe shumë të tjera.
Lini një Përgjigje