
Kushtetuesja rrëzon sekuestrimin e celularëve pa vendim gjykate...
Gjykata Kushtetuese ka vendosur një precedent, duke kufizuar mënyrën sesi po vepron SPAK në sekuestrimin e telefonave celularë.
Gjykata ka pranuar kërkesën e bërë nga shtetësja Onejda Ymeraj, të cilës ju sekuestrua celulari në kuadër të hetimeve ndaj Arben Ahmetajt. Disa muaj më parë, BKH i sekuestroi asaj celularin, pa vendim gjykate. Vetë Ymeraj u ankua duke e cilësuar si shkelje të të drejtave sepse nuk ishte subjekt hetimi.
Kushtetuesja e ka pranuar pjesërisht kërkesën, duke argumentuar se ju cenua liria dhe fshehtësia e komunikimit, duke e bërë të qartë se duhet vendim gjykate për çdo sekuestrim. Edhe në rastet e flagrancës, do jetë po gjykata që do vendosë hapjen apo jo të celularit. Po ashtu sipas vendimit, nuk duhet të merren nga celulari të dhëna private, qoftë foto, biseda, etj.
“Në lidhje me themelin e kësaj çështjeje, Gjykata konstatoi se ka pasur ndërhyrje në të drejtat e kërkueses si më sipër dhe vlerësoi se, në kuptim të nenit 17 të Kushtetutës, ndërhyrja është bërë me ligj dhe për interes publik, duke u ndalur në analizën e testit të proporcionalitetit të saj.
Gjykata vlerësoi fillimisht se në konceptin kushtetues të korrespondencës sipas nenit 36 të Kushtetutës përfshihen edhe komunikimet elektronike nëpërmjet internetit dhe se “korrespondencë” në këtë kuptim është komunikimi ndërmjet dy ose më shumë individëve (mesazhe, telefonata, email etj.) që kanë natyrë individuale dhe personale. Për rrjedhojë, mbrojtja kushtetuese vlen edhe për përmbajtjen e tyre, jo vetëm për adresën e komunikimit. Në përputhje me këtë kuptim, Gjykata theksoi se sekuestrimi i celularit, pajisjeve elektronike, apo aksesimi i përmbajtjes së tyre përbën ndërhyrje në këtë të drejtë, duke aktivizuar mbrojtjen e nenit 36 dhe nenit 35 të Kushtetutës”, shprehet Kushtetuesja.
Gjykata vlerësoi se nga përmbajtja e neneve 36 dhe 35 të Kushtetutës liria dhe fshehtësia e korrespondencës dhe e drejta për mbrojtjen e të dhënave personale janë të garantuara në nivel kushtetues, çka do të thotë se garancitë mbrojtëse nga arbitrariteti i autoriteteve publike gjatë procesit penal detajohen në Kodin e Procedurës Penale. Në interpretimin e tyre, Gjykata mban parasysh edhe garancitë sipas jurisprudencës së Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Gjykata vëren se Kodi i Procedurës Penale parashikon si garanci procedurale se sekuestrimi i korrespondencës, në çdo rast, duhet të jetë me vendim gjyqësor, i cili, si rregull, është paraprak. Përjashtimisht, në kushte urgjence, korrespondenca mund të sekuestrohet nga Policia Gjyqësore, e cila, në çdo rast, duhet të garantojë fshehtësinë si dhe sekuestrimi duhet t’i nënshtrohet kontrollit gjyqësor, i cili bëhet aposteriori, me vendim të arsyetuar brenda afatit të ligjit.
Gjykata thekson se në çdo rast vendimi i gjykatës për sekuestrimin e korrespondencës nuk duhet të përcaktojë objektin e sekuestrimit me terma të gjerë.
Pavarësisht sekuestrimit të pajisjes apo të vetë korrespondencës në kushte urgjence si rast i përgjithshëm, Gjykata thekson se hapja apo hyrja (aksesimi) i saj duhet të bëhet sipas standardeve ndërkombëtare të cilat përfshijnë:
i) Ndalimin e veprimeve të hyrjes, hapjes, nxjerrjes, inspektimit, përpunimit të të dhënave personale dhe të korrespondencës;
ii) Mbylljen e pajisjes/senderit në të cilën ndodhet korrespondenca apo të dhënat personale me vulë sigurie kur është e mundur në prani të individit dhe/ose avokatit të tij, duke u mbajtur procesverbal për këtë qëllim;
iii) Ndalimin e bërjes së kopjeve të të dhënave personale dhe/ose korrespondencës pa autorizim të gjykatës.
Gjykata vlerësoi se garancitë si më sipër vlejnë njësoj edhe në rastin e sekuestrimit të të dhënave personale në kuptim të nenit 35 të Kushtetutës.
Në fund ajo ka vendosur:
-Pranimin e pjesshëm të kërkesës.
-Konstatimin e cenimit të lirisë dhe fshehtësisë së korrespondencës dhe të së drejtës për mbrojtjen e të dhënave personale për efekt të vendimeve për sekuestrim të pajisjes elektronike.
-Asgjësimin e të dhënave të korrespondencës të përfituara nga sekuestrimi, të cilat nuk kanë lidhje me objektin e hetimit penal.
-Vijimin e mbajtjes në sekuestro të kopjeve të korrespondencës dhe të dhënave personale që lidhen me objektin e hetimit penal, duke ia nënshtruar kontrollit gjyqësor.
-Urdhërimin e zbatimit të garancive procedurale të parashikuara në arsyetimin e këtij vendimi për vijimin e mbajtjes në sekuestro të celularit si pajisje/send që mban korrespondencë dhe të dhëna personale.
-Ngarkimin e Prokurorisë së Posaçme për ekzekutimin e vendimit brenda 3 muajve nga hyrja në fuqi e tij, duke respektuar garancitë procedurale sipas arsyetimit të këtij vendimi.
Gjykata thekson se ky vendim nuk ka fuqi prapavepruese ndaj çështjeve të ngjashme të sekuestrimit për të cilat nuk është paraqitur ankim apo për të cilat është paraqitur ankim dhe kontrolli gjyqësor ka përfunduar./Pamfleti



Lini një Përgjigje