Pas sulmeve të forta të kryeministrit Edi Rama dhe një pjese të mazhorancës, Dritan Goxhaj ka folur në podkastin e Pamfletit “Të Pashoq”, ku ka dhënë versionin e tij mbi arsyet pse është vendosur në qendër të sulmeve politike të ditëve të fundit.
I pyetur nga gazetarja Edjona Dervishi se përse Kryeministri zgjodhi pikërisht atë si shënjestër, ndërkohë që kërkesat e protestuesve janë artikuluar edhe më herët nga shumë pjesëmarrës të tjerë, Goxhaj argumenton se sulmi lidhet me faktin se për herë të parë protesta ka paraqitur një platformë të qartë dhe zyrtare politike. Sipas tij, mazhoranca po merret me personin që lexoi kërkesat dhe jo me përmbajtjen e tyre, duke tentuar të shmangë debatin mbi thelbin e protestës.
Edjona Dervishi: Po ju e keni ndoshta një analizë tuajën, ndoshta edhe një informacion apo një perceptim pse Kryeministri nisi këtë sulm pikërisht ndaj jush? Sepse çdokush tjetër i ka shpalosur këto kërkesa edhe më parë në këtë protestë.
Dritan Goxhaj: Këto kërkesa janë shpalosur më përpara nga njerëz, nga individë që kanë qenë folës aty në protestë. Pra po, por jo të renditura, secili ka dhënë një mendim të tijin. Për këtë arsye edhe grupi koordinator, koordinues i protestës, në atë letrën që lexova unë, të cilën ata e kishin përgatitur, thuhet se është hartuar duke u bazuar mbi atë çfarë protestuesit kanë shprehur në këto 22 ditë protestë.
Edjona Dervishi: Pikërisht.
Dritan Goxhaj: Pra ato u grumbulluan dhe u bënë...
Edjona Dervishi: Ti ishe përsëritës, po themi.
Dritan Goxhaj: Pikërisht. Unë isha përsëritës, por tashmë ishte një qëndrim zyrtar i protestës. Ishte një kërkesë zyrtare e kësaj proteste, e cila deri më tani nuk ka pasur, të them të drejtën. Të gjithë e kemi parë që kanë qenë qëndrime individuale të njerëzve të ndryshëm, por një qëndrim zyrtar i kësaj proteste, se ku kërkon të shkojë, çfarë kërkon realisht kjo protestë, pse po i nxjerr njerëzit në shesh, ky ishte qëndrimi zyrtar.
Dhe ky qëndrim zyrtar, duke qenë se ishte brenda kornizës kushtetuese, pa asnjë lloj shkeljeje, pa asnjë lloj problemi tjetër, pa utopi e pa çmenduri të ndryshme, e vë Kryeministrin dhe këdo tjetër në mazhorancë ose në opozitë përballë një çështjeje që ka 35 vjet që është e pazgjidhur.
Për këtë arsye ata tashmë janë ngritur dhe merren me lexuesin dhe jo me letrën. Pra merren me lajmësin dhe jo me lajmin. Ndërkohë që duhet të merren me lajmin dhe jo me lajmësin.
Lini një Përgjigje