Një moment i veçantë ka tërhequr vëmendjen gjatë protestës së 20-të kundër qeverisë, që po zhvillohet para Kryeministrisë në Tiranë.
Teksa në bulevard dritat u fikën për pak çaste, disa të rinj ngritën në qiell një balonë gjigante të stampuar me flamurin kombëtar kuq e zi. Pamja u shoqërua me duartrokitje dhe thirrje nga protestuesit, të cilët e interpretuan si një simbol shprese dhe bashkimi.
Balona u ngrit mbi turmën e qytetarëve mes brohoritjeve “Rama ik”, duke krijuar një nga momentet më të veçanta vizuale të mbrëmjes.
Pjesëmarrësit e cilësuan këtë veprim si një mesazh për të ardhmen dhe për atë që ata e quajnë “Shqipëria e re”, ndërsa flamuri kombëtar mbeti në qendër të simbolikës së protestës.
Prej 20 ditësh, qytetarë nga zona të ndryshme të vendit janë mbledhur para Kryeministrisë për të kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, ndërsa organizatorët kanë paralajmëruar vijimin e aksionit protestues edhe në ditët në vijim.
Lini një Përgjigje