Aktualitet20 Dhjetor 2023, 13:20

Misteri/ Si u zhduk kontenieri me 1000 kuti banane i “Bana-King” nga Porti i Durrësit

Shkruar nga Pamfleti

Misteri/ Si u zhduk kontenieri me 1000 kuti banane i “Bana-King” nga

Jemi mësuar shpesh që kontenierët me banana përdoren për trafikun e kokainës nga vendet e Amerikës Latine drejt Shqipërisë apo vendeve të tjera të Europës. Jemi mësuar gjithashtu që kokaina e trafikuar ka kaluar për “përdorim të gjerë”, falë bashkëpunimit të trafikantëve me punonjës të pikave policore e doganore kufitare.

Por, që të kontrabandohen banane për ta kaluar frutin më pas në qarkullim të lirë, është pak e vështirë për t’u besuar.

Të paktën, këtë la të kuptohet Policia e Shtetit, në një njoftim për arrestimin e 3 punonjësve të Portit të Durrësit dhe një të Policisë Kufitare, pas “zhdukjes” së përkohshme të një kontenieri me banane, të porositur nga shoqëria "Zico Company”, e njohur me emrin tregtar “Bana-King”.

Në një komunikim me median, Policia e Durrësit informoi në 14 Dhjetor 2023 se “Në kuadër të operacionit ‘Sinkroni’ janë vënë në pranga Alketa Kollçaku, 52 vjeç, Denis Musaj, 41 vjeç, Egnis Gojani, 35 vjeç, dhe ndihmësspecialisti kontrollor në Policinë Kufitare të portit të Durrësit, Adelino Vila, 27 vjeç. Ata akuzohen për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Falsifikimi kompjuterik”, të kryera në bashkëpunim”.

Sipas Policisë, “nga veprimet hetimore dyshohet se këta 4 shtetas, duke shpërdoruar detyrat, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë regjistruar të dhëna të rreme në sistemet kompjuterike, me qëllim lejimin e kalimit pa kontroll doganor, të automjeteve dhe kontenierëve që transportonin mallra të kontrabanduara”.

Pra, deri më tani, Policia dhe Prokuroria e Durrësit kanë ngritur dyshimet për kryerjen e veprave penale të “Kontrabandës” dhe ‘Shpërdorimit të detyrës”.

Natyrisht, as institucionet ligjzbatuese dhe as opinioni publik nuk është i bindur se rasti është thjesht dhe vetëm një kontrabandë bananesh.

Dyshimet më të forta janë që gjithçka është një rast tipik trafik lëndësh narkotike. Dhe, ka shumë elementë që e forcojnë këtë dyshim.

Çfarë ndodhi?

Në fillim të Dhjetorit 2023, ka mbërritur nga Ekuadori një ngarkesë me banane, e porositur nga shoqëria “Zico Company” (Bana-King).

Kontenierët kanë qëndruar në sheshin e terminalit të Portit të Durrësit, e menaxhuar nga shoqëria “Mariner Adriatic”.

Në datë 8 Dhjetor, një person, i identifikuar më vonë nga Policia vetëm me inicialet D.H, 56 vjeç, është paraqitur tek punonjësit e kompanisë “Mariner Adriatic” si shofer i shoqërisë “Bana-King”.

Ai ka pasur në dorë disa letra, në bazë të të cilave pretendoi se janë kryer procedurat e zhdoganimit dhe kishte ardhur për të tërhequr një kontenieri me banane.

Punonjësit e kompanisë private kanë lejuar lëvizjen e kontenierit. Personi D.H, pasi është larguar rreth 2-3 orë, është rikthyer sërish në Port dhe ka rikthyer kontenierin.

Misteri/ Si u zhduk kontenieri me 1000 kuti banane i “Bana-King” nga
Në foto: Terminali i kontenierëve në Portin e Durrësit

Një ditë më pas, në 9 Dhjetor 2023, një shofer i kompanisë “Bana King” është paraqitur në Portin e Durrësit, për të tërhequr kontenierin. Ky shofer është kontaktuar nga punonjësit e Doganës, të cilët e kanë vënë në dijeni se kontenieri kishte probleme.

Më saktësisht, vulat e mbylljes së kontenierit nuk përkonin me vulat e nisjes. Në këtë pikë, është ndaluar i gjithë procesi dhe është ushtruar kontrolli i ngarkesës. Ka rezultuar se ngarkesa ka qenë e plotë dhe dyshimet e para janë që kutitë janë ndryshuar.

Megjithatë, fakti që kontenieri ka lëvizur për 2-3 orë në një destinacion të panjohur, ka ngritur dyshimet për, më së paku kontrabandë ose edhe për trafik narkotikësh.

Rasti bëhej akoma më i dyshimtë, pasi u zbulua se personi D.H. që kishte tërhequr përkohësisht kontenierin, nuk ishte punonjës i shoqërisë “Zico Company” (Bana-King) dhe ai besohet se ka përdorur dokumenta të falsifikuara për tërheqjen e mallit.

Pas kësaj situate, punonjësit e “Zico Company” kanë bërë kallëzim penal.

Si u “fsheh” ngjarja

Episodi u mbajt i fshehtë për disa ditë. Kjo mungesë transparence mund të ketë qenë një taktikë e Policisë për të kryer hetimet “në heshtje” ose edhe një zgjidhje për të shmangur “njollosjen” për dështimin e radhës të institucioneve ligjzbatuese.

Më e besueshme duket ky varianti i dytë, pasi personi apo personat që kanë organizuar “zhdukjen” disa orëshe të kontenierit i kanë marrë masat për të shmangur përballjen me policinë.

Më së paku, personazhi D.H, i cili ka tërhequr kontenierin, nuk është arritur të gjendet nga policia dhe është shpallur në kërkim.

Gjithësesi, ngjarja u mësua nga një burim alternativ. Në 13 dhjetor, ish-kryeministri Sali Berisha, publikoi një mesazh që, sipas dërguesit, identifikohej si punonjës i Doganës së Portit Durrës.

Misteri/ Si u zhduk kontenieri me 1000 kuti banane i “Bana-King” nga
Në foto: Ish-kryeministri Sali Berisha publikoi i pari rastin e “zhdukjes” së kontenierit

Berisha, duke bërë publik mesazhin, shkruante ndër të tjera: “Më 13 dhjetor u shoqëruan mbi 20 persona të operatorit portual Mariner Adriatic dhe disa policë kufitarë për t’u marrë në pyetje lidhur me kontenierin me banane të firmës “Bana King”, i cili, në datën 8 dhjetor ka dalë pa kryer asnjë procedurë doganore, skaner kontroll jashtë portit të Durrësit, duke u zbrazur në një parking në afërsi të portit në Shkozet. Pas 3 orë e 30 minutash është rikthyer në Portin e Durrësit, është futur përsëri në terminal pa asnjë kontroll. Kornologjia e kësaj ngjarje është fshehur me idenë e kontrabandës së bananeve (versioni më i turpshëm) i historisë me urdhër direkt të drejtorit të Policisë Durrës, Skënder Hita, i besuar i Taulant Ballës”.

Vetëm pas këtij publikimi, e konkretisht në 14 Dhjetor 2023, Policia e Durrësit lëshoi një komunikatë zyrtare, ku njoftonte se ishin ndaluar 4 persona dhe ishte shpallur në kërkim shtetasi D.H., i cili kishte tërhequr kontenierin për disa orë.

Çfarë mbetet pas?

Në fundjavë, gjykata e Durrësit pranoi kërkesën e Prokurorisë dhe caktoi masën e sigurimit “arrest me burg” për Alketa Kollçaku, Denis Musaj, Egnis Gojani dhe ndihmësspecialisti kontrollor në Policinë Kufitare të portit të Durrësit, Adelino Vila, nën dyshimet se kanë kryer veprat penale të “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Falsifikimi kompjuterik”, të kryera në bashkëpunim.

Ndërkohë, të paktën deri më tani, nuk ka asnjë informacion se çfarë ka ndodhur me kontenierin gjatë asaj periudhe 2-3 orëshe që u “zhduk”.

Dyshimet janë që brenda tij mund të ketë pasur kokainë. E, nëse është vërtetë kështu, atëherë pikëpyetja vijon se sa mund të ketë qenë sasia e lëndë narkotike. Një kontenier mban 1000-1200 arka banana dhe sasia e dyshuar mund të ketë qenë jashtëzakonisht e madhe.

Megjithatë, këto dyshime mbeten të tilla, për sa kohë që nuk është gjetur gjurmë apo nuk ka ngritur akuza për trafik, por vetëm për kontrabandë.

“Bana-King”, gjithnjë pa faj

“Zhdukja” e kontenierit të “Bana-King” është episodi i radhës që i ndodh shoqërisë ‘Zico Company” në dy vitet e fundit.

Deri më tani, janë regjistruar më së paku dy raste të mëparshme, ku në kontenierët e mbërritur nga Amerika Latine për llogari të “Bana King” janë gjetur lëndë narkotike kokainë.

Në 30 Dhjetor 2021, agjentët e Policisë arritën të zbulonin 119 kilogramë kokainë në një kontenier që ishte transportuar nga porti i Durrësit në drejtim të magazinave të “Zico Company” në Vaqarr të Tiranës.

Misteri/ Si u zhduk kontenieri me 1000 kuti banane i “Bana-King” nga
Në foto: Policia zbuloi kokainë në kontenierët me banane në Nëntor 2022

Në 3 Nëntor të vitit 2022, gjatë një kontrolli në vijën e dytë të Portit të Durrësit, policia zbuloi rreth 35 kilogramë kokainë në një kontenier me banana, të mbërritur në Shqipëri nga Ekuadori, si porosi e “Bana King”.

Për episodet e mëparshme kanë pasur edhe disa arrestime, ku janë përfshirë punonjës të kompanisë, si edhe punonjës të Doganës së Durrësit. Megjithatë, siç ka raportuar më herët “Boldnews.al”, të gjithë personat e arrestuar janë liruar në kohë të ndryshme, duke i lënë rastet e trafikut të kokainës pa autor./boldnews

bana king kkonteiner porti i durresit