Aktualitet 2 Mars 2024, 21:49

Ndahet nga jeta profesori i njohur, Kristaq Berxholi

Shkruar nga Pamfleti

Ndahet nga jeta profesori i njohur, Kristaq Berxholi

Profesori i njohur i Veterinarisë, Kristaq Berxholi, u nda sot nga jeta në moshën 75-vjeçare.

Ai lindi më 1 gusht 1948 në Lunxhëri të Gjirokatrës. Me mbarimin e shkollës se mesme në qytetin e Gjirokastrës, Berxholi ndoqi studimet e larta për Mjekësine Veterinare në Institutin e Lartë Bujqësor.

Pas përfundimit të studimeve në vitin 1973, punoi si veteriner dhe më pas si përgjegjës i shërbimit veterinar në Tepelenë. Në vitin 1979, u emërua kërkues në Departamentin e Virologjisë në Institutin e Studimeve Veterinare në Tiranë, Institut që më vonë e drejtoi në vitet 1997 deri 2002.

Nga viti 2002, punoi si pedagog në Fakultetin e Mjekësisë Veterinare dhe nga viti 2004, ishte drejtues i Departamentit të Lëndëve Paraklinike të këtij fakulteti.

Pas kualifikimit universitar, ai u pajis me disa grada dhe tituj shkencorë si “Doktor Shkencash”, dhe “Profesor”. Profesor Berxholi është autor i shumë botimeve shkencore për sëmundjet virologjike, imunologjike dhe zoonozat. Ai ka qenë një bashkëpunëtor i ngushtë i medias për çështjet e sigurisë ushqimore dhe shëndetit publik.

kristaq berxholi