Organizata “Drejtësi Sociale” i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese me një padi që kërkon shfuqizimin e udhëzimit të ish-ministres së Brendshme, Albana Koçiu, për ndalimin e qarkullimit të monopatinave elektrike.
Në kërkesën drejtuar gjykatës, organizata kërkon që udhëzimi të shpallet i papajtueshëm me Kushtetutën. Padia kërkon gjithashtu pezullimin e menjëhershëm të zbatimit të këtij akti deri në përfundimin e shqyrtimit gjyqësor dhe kthimin e mjeteve të bllokuara tek qytetarët.
Sipas argumenteve të paraqitura, udhëzimi cenon disa të drejta themelore. Padia pretendon se masa kufizon lirinë e lëvizjes së qytetarëve dhe ndërhyn në lirinë ekonomike, duke ndikuar në aktivitetin tregtar që lidhet me përdorimin dhe shërbimet e monopatinave elektrike.
Në dokument theksohet gjithashtu se vendimi prek të drejtën e pronës dhe nuk respekton parimin e proporcionalitetit. Organizata argumenton se akti krijon pasiguri juridike dhe tejkalon kompetencat normative të një autoriteti administrativ.
Sipas padisë, autoriteti ka zgjedhur një masë ekstreme duke ndaluar plotësisht përdorimin e këtyre mjeteve në vend që të vendoste rregulla për përdorimin e tyre.
Gjykata Kushtetuese pritet të vendosë nëse do të pranojë shqyrtimin e çështjes dhe kërkesën për pezullimin e menjëhershëm të udhëzimit.
Lini një Përgjigje