TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet11 Mars 2026, 10:30

Resorti luksoz i Bashkim Ulajt, banorët e Rrjollit protestë para SPAK: Na është vjedhur prona

Shkruar nga Pamfleti
Resorti luksoz i Bashkim Ulajt, banorët e Rrjollit protestë para SPAK:
Banorët e Rrjollit në protestë para SPAK

Banorët e Rrjollit janë ngritur ditën e sotme në protestë para SPAK dhe në shenjë revolte kanë qëlluar me vezë drejt Prokurorisë

Banorët e fshatit Rrjoll po protestojnë sot përpara Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), duke kërkuar hetim për atë që ata e konsiderojnë grabitje të pronave të tyre në zonën e Velipojës.

Protestuesit mbajnë në duar pankarta dhe dokumente që, sipas tyre, vërtetojnë pronësinë mbi tokat, ndërsa në disa postera shprehej besimi tek drejtësia e SPAK për të zbardhur çështjen. Gjatë protestës, disa prej tyre qëlluan me vezë në drejtim të godinës së prokurorisë.

Sipas banorëve, toka që po përdoret për ndërtimin e një resorti turistik luksoz u është marrë në mënyrë të paligjshme. Ata pretendojnë se pronat janë regjistruar në mënyrë abuzive nga ish-drejtori i Kadastrës, Fatmir Shpellzaj, dhe më pas janë kaluar për zhvillim investimi nga biznesmeni dhe botuesi Bashkim Ulaj.

Njëri prej banorëve paralajmëroi në një komunikim për mediat se situata “po shkon drejt gjakderdhjes”.

“Kemi bërë kallëzimin edhe në SPAK dhe presim përgjigje nga SPAK. Ne kërkojmë që të bllokohen punimet derisa të zbardhet e vërteta. Ne po kërkojmë të vërtetën. Nëse i ka dokumentet e vërteta le të vazhdojë, nëse del që toka është e jona le ta trashëgojmë ne. Nuk kam shpresë nga Prokuroria e Shkodrës. Ne po presim prej një viti dhe nuk kemi asnjë shpresë, situata po shkon drejt gjakderdhjes, po e them me plot gojë. Kjo prokurori e Shkodrës nuk ka marrë asnjë veprim dhe asaj që ne kemi bërë në kallëzim”, tha një prej banorëve të Rrjollit.

Prej më shumë se një muaji, konflikti për pronësinë e tokës në Rrjoll ka shkaktuar tensione në zonë. Banorët janë përplasur me punonjësit e kompanisë së investitorit, me efektivë të policisë dhe me roje private të kompanisë “Breçani Security”, të cilët sipas tyre janë angazhuar për ruajtjen e kantierit të ndërtimit.

Përfaqësuesi i banorëve të Rrjollit, Prekë Molla, deklaroi se në SPAK është depozituar kallëzimi i tretë penal për personat që, sipas tyre, janë të përfshirë në tjetërsimin e pronave.

Banorët theksojnë se disponojnë dokumente pronësie që datojnë që nga vitet 1930 dhe pretendojnë se tokat janë trashëguar brez pas brezi. Ata shprehen se kallëzimet e mëparshme të depozituara në Prokurorinë dhe Gjykatën e Shkodrës nuk janë hetuar në mënyrë të plotë.

Për këtë arsye, për herë të dytë ata janë drejtuar me protestë para SPAK, duke kërkuar që institucioni të marrë në dorë dosjen dhe të verifikojë procedurat e ndjekura nga organet e drejtësisë në Shkodër.

Banorët paralajmërojnë se do t’i paraqesin SPAK edhe emrat e prokurorëve dhe gjyqtarëve që, sipas tyre, kanë trajtuar çështjen në mënyrë të padrejtë.

Resorti luksoz i Bashkim Ulajt, banorët e Rrjollit protestë para SPAK:
Banorët e Rrjollit në protestë para SPAK

Kujtojmë se pak ditë më parë, ata depozituan edhe një kërkesë zyrtare në Prokurori, ku kërkojnë një zgjidhje të shpejtë ligjore dhe verifikimin e dokumentacionit të pronësisë për tokat në Rrjoll, aty ku aktualisht po ndërtohet resorti turistik.

Punimet për ndërtimin e “Blu Borgo”-s në një sipërfaqe prej 146 hektarësh, oligarku Bashkim Ulaj i nisi në fillim të shkurtit. Projekti parashikon 33 struktura akomoduese dhe shërbimi, me objekte nga 3 deri në 10 kate mbi tokë dhe një kat nëntokë. Subjekti zhvillues është shoqëria “ABA Blue Borgo”, me statusin e investitorit strategjik

 

 

2 Komente

  1. J
    Jeta

    SPAK eshte herr adrese koti. PS

    1. S
      Ssh

      Dy partive kryesore nuk u intereson è verteta Banoret po durojnë kta manipulator të pa shoq Respekt për kyt qendres të Banorëve.

      Lini një Përgjigje