TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet11 Mars 2026, 11:09

Protesta para SPAK, avokati i banorëve të Rrjollit: Kallëzimi për Fatmir Shpellzën, u vodhi pronën

Shkruar nga Pamfleti
Protesta para SPAK, avokati i banorëve të Rrjollit: Kallëzimi
Protesta e banorëve të Rrjollit para SPAK

Banorët e fshatit Rrjoll po protestojnë sot para SPAK, duke kërkuar hetim për atë që ata e konsiderojnë tjetërsim të paligjshëm të pronave të tyre në zonën e Velipojës.

Protestuesit mbanin në duar pankarta dhe dokumente që, sipas tyre, vërtetojnë pronësinë mbi tokat. Në disa prej postereve shkruhej se ata besojnë tek drejtësia e SPAK për të zbardhur çështjen, ndërsa gjatë protestës disa prej tyre qëlluan me vezë në drejtim të godinës së prokurorisë.

Banorët pretendojnë se pronat e tyre janë marrë në mënyrë të paligjshme nga ish-drejtori i Kadastrës, Fatmir Shpellzaj, dhe se aktualisht në atë territor po ndërtohet një resort turistik luksoz nga oligarku Bashkim Ulaj.

Pas takimit në SPAK, avokati i banorëve të Rrjollit, Novruz Haderi, deklaroi për mediat se ndaj ish-drejtorit të Kadastrës është depozituar një kallëzim penal, pasi dyshohet se ka bashkëpunuar me zyrtarë të pushtetit vendor për falsifikimin e dokumenteve të pronësisë.

Ai theksoi se, edhe pse kallëzimi është bërë prej rreth një muaji, deri tani nuk ka pasur asnjë reagim nga ana e SPAK.

“Situata është e agravuar. Kallëzimi ndaj Fatmir Shpellzës është bërë para një muaji dhe nuk ka asnjë reagim. Kjo është e patolerueshme. Dosja përmban më shumë se dy fashikuj. Problematika nuk ka ardhur rastësisht, por si pasojë e mosreagimit të institucioneve. Edhe sot na u tha se do të gjendet kohë për ta trajtuar. Ky është detyrim i këtij organi, që të dëgjojë këta banorë. Bëhet fjalë për të drejtën e pronës së tyre, të trashëguar ndër breza.

Kallëzimi ndaj Shpellzës ngre dyshime se ai ka përfituar këtë pronë dhe se mund të ketë vend edhe për hetime të mëtejshme, pasi nuk dyshohet të jetë i përfshirë vetëm ai. Mund të ketë edhe persona të tjerë që e kanë shtyrë këtë proces deri në këtë pikë dhe tani nuk mund të tërhiqen më. Informacioni që kemi është i mangët dhe nuk kemi reagim nga asnjë institucion.

SPAK minimalisht duhet të japë shpjegime se përse e referon çështjen dhe çfarë po ndodh me të. Prokuroria i ka me emra konkretë personat. Vetë mënyra se si është marrë kjo pronë na çon në dyshime për përfshirjen e personave të pushtetit vendor. Biznesmeni është i njohur me problematikën e zonës dhe një investim i tillë nuk mund të trajtohet sikur nuk ka asnjë problem. Banorëve nuk po u lejohet ta trajtojnë pronën si të tyren. Ne kërkojmë të dimë se çfarë po ndodh me kallëzimin që kemi bërë”, u shpreh avokati Haderi.

Lini një Përgjigje