
Kandidati i PD në qarkun e Dibrës, Xhemal Gjunkshi pretendon se ka pasur të shtëna me armë.
Struktura e Posaçme për hetimet e krimeve zgjedhore në qytetin e Kukësit, ka shpallur në kërkim dy persona për blerje votash.
Policia e Kukësit ka ushtruar kontrolle në banesat Kalosh dhe Gëzim Peposhit të cilët akuzohen për veprën penale ”Korrupsioni aktiv në zgjedhje”. Mësohet se dy individët e shpallur në kërkim kanë shpërndarë vlera monetare për të blerë vota për një subjekt politik.
“Strukturat e posaçme për hetimin e krimeve zgjedhore në Drejtorinë Vendore të Policisë Kukës në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), ka ushtruar kontrolle në banesat e shtetasve G.P dhe K.P në kuadër të hetimeve për veprën penale ”Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 328 e 25 te K.Penal.
Policia e Kukësit ka shpallur në kërkim shtetasit G.P dhe K.P, dhe vijon puna intensive për kapjen e tyre. Strukturat hetimore të DVP Kukës nën drejtimin e SPAK po punojnë intesivisht me qëllim identifikimin e shtetasve të tjerë ndaj të cilëve ka dyshime se janë dhënë vlera monetare për orientimin e votës së tyre ndaj një subjekti politik”, thuhet në njoftimin e policisë.
Ndërkohë që zhvillime ka pasur edhe në Dibër, ku militantët e PD-së kanë bllokuar një makinë e cila dyshohet se shpërndante para për blerje votash.
Mësohet se në fshatin Tomin të Dibrës, një grup simpatizantë të PD kanë ndaluar një makinë që mendohet se po shkonte drejt zonave të thella.
PD thotë se dyshon që njerëz pranë PS po shpërndanin para dhe tollona nafte. Prokuroria dhe policia kanë shkuar në vendngjarje dhe kanë kryer kontrolle të automjetit.
Madje nga informacionet paraprake mësohet se ka patur konfrontim fizik mes dy grupeve. Kjo ngjarje ka shkaktuar bllokim të aksit rrugor Peshkopi-Kukës dhe mbi 500 automjete janë në trafik. Kandidati i PD në qarkun e Dibrës, Xhemal Gjunkshi pretendon se ka pasur shtëna me armë nga një efektiv policie. Esat Gjura është identifikuar dhe shpallur në kërkim, si polici, i cili ka qëlluar me armë zjarri. Po ashtu në kërkim është dhe një person tjetër. Sakaq mësohet se Gjura është babai i një kandidati të PS në atë zonë.
Lini një Përgjigje