Lëvizja protestuese kundër qeverisë dhe klasës politike shqiptare ka kaluar tashmë kufijtë e vendit, teksa shqiptarët e diasporës janë mobilizuar sot në disa prej qyteteve kryesore të botës në mbështetje të protestave që po zhvillohen prej dy javësh në Shqipëri.
Tubime dhe grumbullime protestuese janë raportuar në Londër, Milano, Gjermani dhe Australi, ku emigrantët shqiptarë kanë dalë në mbështetje të kërkesave të ngritura nga protestuesit në Tiranë dhe qytete të tjera të vendit.
Një nga protestat më simbolike po zhvillohet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku shqiptarët janë mbledhur përpara Ambasadës Shqiptare në Washington DC. Me flamuj kombëtarë dhe pankarta, pjesëmarrësit kanë shprehur mbështetjen e tyre për protestat kundër qeverisë dhe asaj që e cilësojnë si kastë politike të tranzicionit.
Pamjet e publikuara në rrjetet sociale tregojnë grupe shqiptarësh të mbledhur në disa vende të botës, duke përcjellë mesazhe solidariteti me protestuesit në Shqipëri dhe duke kërkuar ndryshime politike, më shumë llogaridhënie dhe luftë kundër korrupsionit.
Zgjerimi i protestave jashtë vendit vjen në ditën e 14-të të lëvizjes qytetare, e cila nisi me kundërshtimin e projekteve të diskutueshme në bregdet dhe më pas u shndërrua në një protestë më të gjerë kundër qeverisë dhe elitës politike.
Organizatorët e protestave në diasporë kanë deklaruar se mobilizimi nuk do të mbetet një akt simbolik, por synon të tregojë se pakënaqësia ndaj situatës politike në Shqipëri ndihet edhe nga shqiptarët që jetojnë dhe punojnë jashtë vendit.
Lini një Përgjigje