TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 3 Shtator 2025, 20:30

Nga pjeshkët e domatet, te mishi e qumështi: siguria ushqimore në Shqipëri në ditë të hallit!

Shkruar nga Pamfleti

Nga pjeshkët e domatet, te mishi e qumështi: siguria ushqimore në

Shqiptarët helmohen nga pesticidet e ndaluara...

Siguria ushqimore në vend është në ditët e saj më të këqija. Pavarësisht se Rama na flet për reformim, shkrirje të AKU-së e aksione në tregje, realiteti është shumë i qartë: çdo produkt që konsumohet në vend nuk dihet se çfarë përmban.

Pas skandaleve me mishin e pulës, qumështin, apo luleshtrydhet dhe mandarinat, sot ka shpërthyer një tjetër aferë. Pjeshkët dhe domatet që prodhohen këtu janë të mbytura në pesticide. Kroacia dhe Bosnja kanë bllokuar me tonelata pjeshkë dhe domate nga vendi ynë, pasi kanë normë të lartë pesticidesh dhe nikeli.

Më saktë, më 22 gusht 2025, Kroacia asgjësoi 5 ton pjeshkë të prodhuara në Divjakë, pasi u zbulua prania e lartë e metalit të rëndë, nikel. Vetëm pak ditë më pas, më 30 gusht, po i njëjti shtet njoftoi groposjen e 4 tonëve me domate shqiptare, të cilat rezultuan të spërkatura me një nivel pesëfish më të lartë se norma e lejuar e substancës helmuese chlorfenapyr.

Por nëse kthehemi pas, skandalet ushqimore këtë vit janë të pafundme. Në fillim të këtij viti, një skandal i ngjashëm ndodhi me mandarinat. Ishte po Kroacia që bllokoi mbi 10 ton mandarina, pasi përmbanin nivel të lartë pesticidesh. Skandali u thellua, sepse ato u hodhën në tregun shqiptar dhe nga një hetim i prokurorisë rezultoi se ishin mbi 20 ton. E njëjta gjë duket se do të ndodhë me pjeshkët, ku në fund do t’i hanë shqiptarët.

Në maj, në një kopsht shtetëror në Gramsh, afro 70 fëmijë u helmuan për shkak të salmonelës në vezë.

Në fund të muajit mars, u zbulua se rreth 8 tonë mish pule nga Brazili, me përmbajtje të lartë salmonele, u tregtua në vendin tonë. Mishi arriti të hidhej në treg dhe u konsumua i gjithi. Autoritetet vepruan me shumë vonesë, ndërkohë që papërgjegjshmëria u tregua edhe nga kompania që solli mishin, duke shmangur detyrimet.

Po ashtu, muaj më parë, një skandal shpërtheu te rrjeti “KFC”, pasi edhe mishi i pulës që ata konsumonin rezultoi me salmonelë. Edhe në këtë rast nuk pati asnjë asgjësim dhe asnjë marrje përgjegjësie nga dikush, por ushqimi u konsumua.

Po ashtu, doli që edhe qumështi që tregtohet në vend ka përmbajtje aflatoksine. Dy kompani të njohura (Lufra dhe Erzeni) rezultuan se tregtonin qumësht me përmbajtje të rrezikshme. Askush nuk u kujdes për asgjësimin e tij, por i gjithi u konsumua nga qytetarët.

Ky nuk është rasti i vetëm, pasi ka pasur edhe herë të tjera denoncime për aflatoksinë në qumësht, për të mos folur për përzierjen me qumësht pluhur. Shqipëria importoi 1 mijë tonë qumësht pluhur nga jashtë. Ndërkohë, ka importuar mbi 3 mijë tonë vaj palme, një tjetër produkt që cenon sigurinë ushqimore nëse nuk përdoret si duhet.

Pak kohë më parë, Ministria e Bujqësisë pranoi në media se vetëm gjatë vitit 2024 janë konstatuar nga analizat laboratorike në fruta e perime 7 pesticide të ndaluara si: “chlorpyriphos, chlorfenapyr, chlorpyriphos methyl, linuron, dimethoate, myclobutanil dhe omethoate”. Bëhet fjalë për pesticide që Europa i ndalon, por në Shqipëri përdoren lirshëm. Dhe në fakt, të gjitha janë helme për organizmin e shqiptarëve. /Pamfleti

Lini një Përgjigje