Një histori e pazakontë ka tërhequr vëmendjen në Itali. Rreth 350 shezlongë, të vjedhur dy vite më parë nga kompleksi sportiv Onde Chiare në qytetin e Reggio Emilia, janë gjetur një vit më vonë në një plazh në Kepin e Rodonit, në veri të Durrësit.
Sipas mediave italiane, shezlongët u vodhën natën në qershor të vitit 2024 nga ambientet e kompleksit në Via Fenulli. Megjithatë, një vit më vonë, një turiste nga Reggio Emilia, e cila po kalonte pushimet në Shqipëri, vuri re se në një resort bregdetar në Kepin e Rodonit përdoreshin shezlongë me logon "Onde Chiare" ende të dukshme.
Pasi lexoi më herët në mediat lokale për vjedhjen, ajo u dërgoi drejtuesve të kompleksit fotografi të shezlongëve, duke i njoftuar për zbulimin.
Nisën procedurat ligjore
Menaxherët e kompleksit, Alberto Costoli dhe Enrico Cavazzoni, angazhuan avokatin Gianluca Dallari për të nisur procedurat ligjore me qëllim rikthimin e pajisjeve, vlera e të cilave llogaritet në mbi 45 mijë euro.
"Madje menduam të shkonim vetë në Shqipëri për t'i marrë, por vendosëm të ndjekim rrugën ligjore. Avokati ynë gjeti edhe një avokat në Shqipëri, i cili nisi procedurat gjyqësore. Në teori, shezlongët duhej të ishin sekuestruar nga autoritetet shqiptare. Por një kliente tjetër, që ndodhej këto ditë në Durrës, na dërgoi një video të re, ku shihet qartë se ata vazhdojnë të përdoren nga klientët e plazhit. Jemi shumë të zemëruar", tha Costoli.
Apel publik dhe mesazh për Edi Ramën
Përballë mungesës së rezultateve, drejtuesit e kompleksit vendosën ta bëjnë çështjen publike.
Ata etiketuan media italiane, emisionin investigativ "Le Iene", si edhe kryeministrin shqiptar Edi Rama në rrjetet sociale.
"Doja të etiketoja edhe Edi Ramën, sepse ai flet shpesh për zhvillimin e turizmit shqiptar. Por nëse në Shqipëri përdoren shezlongë të vjedhur në Itali, kjo nuk është aspak një kartëvizitë e mirë për turistët dhe reputacionin e vendit. Ne bashkëpunojmë prej vitesh me furnitorë shqiptarë dhe nuk kemi pasur kurrë probleme. Shpresojmë që kryeministri të interesohet për rastin tonë, sepse nuk dimë më çfarë rruge të ndjekim", u shpreh Costoli.
Postimi që u bë viral
Kompleksi publikoi edhe një postim në rrjetet sociale, i cili mori mijëra shikime.
"Përshëndetje të gjithëve. Nëse dikush shkon me pushime në Kepin e Rodonit... përshëndetni shezlongët tanë! Duket si shaka, por fatkeqësisht është e vërtetë", shkruhet në postim.
Pronarët shpjegojnë se prej më shumë se një viti kanë bërë kallëzime, kanë angazhuar avokatë në Itali dhe Shqipëri, kanë kryer përkthime zyrtare dhe kanë shpenzuar kohë e para për të rikthyer pajisjet e tyre.
"Sot një video e filmuar pak ditë më parë tregon se shezlongët ndodhen ende në të njëjtin stabiliment plazhi. Duam vetëm të kuptojmë se si është e mundur që një vjedhje me vlerë 45 mijë euro, ku sendet janë identifikuar dhe dokumentuar prej më shumë se një viti, ende nuk ka gjetur zgjidhje", thuhet në reagim.
Postimi është shpërndarë gjerësisht në rrjetet sociale dhe ka marrë qindra pëlqime e dhjetëra shpërndarje, ndërsa pronarët shpresojnë se presioni mediatik do të ndihmojë në zgjidhjen e çështjes.
Lini një Përgjigje