
Tuneli i Llogarasë, kalimi i të cilit për dy sezone verore radhazi ka qenë falas, nga dita e sotme do të kthehet me pegaesë. Çmimet për secilën kategori automjetesh janë publikuar në Fletoren Zyrtare dhe variojnë nga 100 lekë deri në 5.000 lekë.
Për motoçikletat dhe mjetet me dy rrota tarifa është 100 lekë.
Për makina pasagjerësh dhe automjete të lehta shpërndarjeje, tarifa është 250 lekë.
Për makina pasagjerësh me rimorkio, automjete të lehta shpërndarjeje me rimorkio, tarifa është 500 lekë.
Për furgonët, minibusë, automjete të mesme, tarifa është 1,000 lekë
Për mjetet e rënda autobusë, kamionë me shumë rimorkio, tarifa është 5,000 lekë
Tarifat me abonim për përdoruesit e rregullt do të përcaktohen 6 muaj pas hyrjes në fuqi të këtij udhëzimi.
Nga kjo tarifë për tunelin e Llogarasë janë të përjashtuar disa kategori:
-Policia Rrugore, autoambulancat dhe zjarrfikëset.
-Mjetet ushtarake dhe të NATO-s.
-Personat që gëzojnë statusin e invalidit (kur automjeti përdoret për nevoja personale).
-Mjetet e punonjësve të ARRSH-së ose Entit Kombëtar të Operimit Rrugor gjatë detyrave.
Të përjashtuara kategorikisht për kalimin në tunel janë të gjitha ato mjete të cilat bëjnë transportimin e lëndëve të rrezikshme.
Kujtojmë se kostoja e ndërtimit të tunelit ka kapur vlerën mbi 260 milion €. Ndërtimi i tunelit nisi më 15 nëntor 2021, pas shpalljes së një gare tenderuese që u fitua nga një konsorcium turk i përbërë nga dy kompani: “Intekar Yapi” dhe “Asl Insaat”. Vlen të theksohet se tenderi mbart “flamur të kuq” për garë të pandershme, sipas Open Procurement Albania.
Lini një Përgjigje