Gazetari Lutfi Dervishi ka reaguar pas sulmit terrorist të orkestruar nga Serbia mëngjesin e sotëm në Veri të Kosovës, ku mbeti i vrarë një polic dhe një tjetër i plagosur.
Dervishi kujton ngjarjet e fundit në Kosovë, ku në fillim u qëlluan dhe plagosën ushtarët e KFOR-it, më pas u rrëmbyen policisët e Kosovës dhe askush nuk mbajti përgjegjës Serbinë.
"Në fillim qëlluan dhe plagosen ushtarët e KFOR-it, por askush nuk mbajti përgjegjës Serbinë, sepse zgjodhën të mbyllin sytë, pastaj rrëmbyen policët e Kosovës, por KFOR nuk ishte në "gjendje" të përcaktonte se ku janë rrëmbyer se i kishin sytë e mbyllur. Sot kanë vrarë një polic të Kosovës. A do t'i hapë sytë "Perëndimi"?, shkruan Dervishi në Facebook.
Një incident i rëndë është regjistruar mëngjesin e së dielës në Kosovë, ku persona të armatosur kanë vrarë një efektiv policie dhe kanë plagosur një tjetër.
Ngjarja ka ndodhur në zonën e Zveçan, ku mendohet për një sulm të organizuar mirë nga persona të maskuar dhe armatosur rëndë.
Lajmi është dhënë nga vetë kryeministri Albin Kurti, i cili përmes një postimi në rrjetet sociale shkruan se ngjarja ka ndodhur rreth orës 03:00 të mëngjesit, teksa të shtënat me armë vijojnë të jenë active në zonë.
Sipas Kurtit, autorët e këtij krimi të urryer e terrorist janë të maskuar dhe të armatosur rëndë, teksa premtoi se Policia e Kosovës do të ruajë qytetarët pa dallim dhe sovranitetin.
“Rreth orës 3 të mëngjesit sot, në fshatin Banjska të Zveçanit, është sulmuar policia e Kosovës me ç’rast është vrarë një polic i Kosovës dhe një tjetër është plagosur. I vrari është polic i rendit me gradën rreshter, kurse i plagosuri është pjesëtar i policisë kufitare. Në këto momente ende vazhdojnë gjuajtjet me armë zjarri të kalibrave të ndryshëm mbi policinë tonë. Sulmuesit janë profesionistë me maska e të armatosur edhe me armë të rënda.
Ne e dënojmë këtë sulm kriminal e terrorist. Krimi i organizuar me mbështetje politike, financiare dhe logjistike nga Beogradi zyrtar po e sulmon shtetin tonë. Në këtë betejë ne mbrojmë dhe zbatojmë ligjin, mbrojmë dhe ruajmë qytetarët pa dallim dhe Kosovën e pavarur. Kriminelët ekzekutorë dhe urdhërdhënësit e tyre do të dështojnë, do të kapen, gjykohen e dënohen”, shkroi Kurti.
Lini një Përgjigje