TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet25 Shtator 2023, 20:52

Petro Koçi zbardh mbledhjen e Këshillit të Sigurisë për Gërdecin: Berisha akuzonte të huajat, Trebicka kishte takuar Shkëlzenin për çmimin e fishekëve

Shkruar nga Pamfleti

Petro Koçi zbardh mbledhjen e Këshillit të Sigurisë

Ndërsa GJKKO ka nisur gjyqin për Fatmir Mediun lidhur me masakrën e Gërdecit dhe hetimet po vijojnë, ende pas 15 vitesh nuk ka drejtësi, ndërsa për herë të parë kërkohet edhe dëshmia e Shkëlzen Berishës. Petro Koçi ka rrëfyer sot në Report Tv prapaskenat e mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare, të thirrur aso kohe nga ish-presidenti Bamir Topi një javë pas tragjedisë së Gërdecit.

Petro Koçi ka qenë i pranishëm mes zyrtarëve më të lartë të shtetit në këtë mbledhje, në rolin e nënkryetarit të Komisionit Parlamentar për Sigurinë Kombëtare. I ftuar në emisionin ‘Studio Live’ Petro Koçi tregon se çfarë ndodhi atë ditë në mbledhje dhe përpjekjet e ish-kryeministrit Sali Berisha për t’ia atribuuar shërbimeve të huaja atë masakër të tmerrshme që i mori jetën 26 personave të pafajshëm.

Berisha bënte një përpjekje që gjithë këtë ngjarje t’ia aderonte shërbimeve të huaja. E quante veprim të shërbimeve të huaja. Nuk kishte ndonjë gjë konkrete, por kuptohet që ishte absurde që në një kohë aq të shkurtër të kishe nxjerrë aq konkluzione. Pra, kjo u vu re. Dukej që donte të shmangej nga përgjegjësia përkatëse që i takonte Ministrisë së Mbrojtjes”, tha Petro Koçi. 

Petro Koçi thotë se të gjitha institucionet bënin ‘ping-pong’-un, duke u përpjekur që të hiqnin përgjegjësitë nga vetja. Pikërisht këto përpjekje, sipas Koçit tregojnë se zinxhiri shtetëror është përgjegjës i asaj tragjedie të madhe. Deputeti socialist thotë se SPAK duhet ta marrë si procesverbalin e mbledhjes.

Çdo institucion mundohej ta hiqte përgjegjësinë nga vetja. Ky ka qenë reagimi i gjithëve, secili fliste për përgjegjësit të tjerëve. SPAK duhet ta marrë si provë, procesverbalin e mbledhjes. Nuk është materiali i vetëm që mbështet hetimi dhe gjykimi, por shërben për t’iu referuar provave të tjera që ka SPAK. Ishte më shumë një lloj formaliteti, se sa një mbledhje ku flisni zyrtarë të përkushtuar për të reflektuar mbi ngjarjen.

Ajo që të bënte çudi ishte përpjekja për t’ia kaluar përgjegjësinë dhe fajin  shërbimeve të huaja. Kjo për mendimin tim është vërtetë një fakt i cili dëshmon se përgjegjësia është tek këta që mundohen ta devijojnë fajin tek dikush tjetër”, tha Koçi.

Koçi rrëfeu edhe takimet që ka pasur me Kosta Trebickën, një ndër dëshmitarët kyç të Gërdecit, i cili më 12 shtator 2008, u gjet i vdekur në rrethana misterioze, në një fushë mbi Voskopojë. Koçi tregon se në takimet që ka pasur me Trebickën, ky i fundit i ka treguar që është takuar me Shkëlzen Berishën për të folur për çmimin e fishekëve.

Mbaj mend që më thoshte se janë takuar për të folur për procesin, fishkët etj. Ai akuzonte pushtetin për ndërhyrje në një biznes, që sipas tij i takonte atij. Fliste edhe për çmimet gjërat, mesa mbaj mend. Ai akuzonte familjen Berisha. Kishte një lloj, cenim të interesit të vet, por mua të paktën për standardin tim të moralit politik më dukej e papranueshme që djali i një kryeministri të përfshihej në një lloj biznesi apo afere që kishte të bënte edhe me sigurinë. Më dukej edhe një gjë e çuditshme”, tha Koçi.

Sa i takon debatit mes ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediut dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Luan Hoxhës, Koçi tha se ky i fundit ka deklaruar se ushtria s’ka patur rol dhe nuk pranonte asnjë lloj përgjegjësie.

Po ka patur një lloj bisede, ku të paktën pjesa ushtarake mundohej të mos pranonte asnjë lloj përgjegjësie. Njëri nga reagimet e mia ky ka qenë, se unë mendoja se përgjegjësia nuk duhej të ishte e përqendruar në një nivel”, tha Koçi.

Deputeti socialist thotë se duhet të ketë më shumë guxim nga drejtësia e re që të thërrasë dëshmitarë të rinj për Gërdecin, mes tyre edhe Sali Berishën.

Berisha mungon, edhe ish-shefi i shtabit mungon. Unë besoj se ka vend për të guxuar për dëshmitarë të rinj. Deri dje drejtësia e ka pas të pamundur të prekte nivele të larta të politikës, konsideroheshin të frikshëm. Situata ka ndryshuar dukshëm. Nuk është tabu të thërrasësh Berishën në SPAK, pse jo për të filluar hetim nëse provat tregojnë se dikush është në faj”, u shpreh Koçi. 

Në atë mbledhje, presidenti Topi kërkoi zbardhjen e fajtorëve dhe përgjegjësve me emër dhe mbimër, si dhe një hetim serioz, rigoroz dhe transparent për atë ngjarje të paprecendetë. I bëri thirrje Prokurorisë së Përgjithshme të zhvillojë hetime të pavarura nga politika dhe kërkoi që autoritetet përkatëse të marrin përgjegjësitë e veta politike dhe ligjore. Dëshmitë e të gjithë pjesëmarrësve do të ishin mjaft të vlefshme për gjykatën dhe hetimet në fazën e procesit gjyqësor ku ndodhen momentalisht.

Lini një Përgjigje