Organizata Iraniane e Energjisë Atomike (AEOI) deklaroi se forcat amerikane kanë goditur me disa predha kantierin e centralit bërthamor në Darkhovin, në provincën Khuzestan, në jugperëndim të Iranit.
Sipas mediave iraniane, sulmi ndodhi rreth orës 03:39 sipas kohës lokale. Autoritetet iraniane e dënuan sulmin, ndërsa nuk dhanë menjëherë informacion për viktima apo dëme të shkaktuara në objekt.
Centrali bërthamor i Darkhovinit është ende në ndërtim. Punimet për projektin nisën në vitin 2022 dhe ai konsiderohet një nga projektet më të rëndësishme të programit civil bërthamor të Iranit.
Ndërkohë, në Jordani, qeveria hodhi poshtë njoftimet për rrezik në qytetin bregdetar të Aqabas, pasi Ambasada e SHBA-së në Aman u bëri thirrje qytetarëve amerikanë të shmangin aeroportin dhe portin detar për shkak të një "kërcënimi specifik dhe të besueshëm".
Zëdhënësi i qeverisë jordaneze, Mohammad Al-Momani, deklaroi se aeroporti dhe porti i Aqabas vijojnë të funksionojnë normalisht dhe se autoritetet nuk kanë lëshuar asnjë urdhër evakuimi.
"Sipas autoriteteve përkatëse jordaneze, në orët e fundit nuk është regjistruar asnjë kërcënim i mundshëm", tha Al-Momani.
Zhvillimet vijnë në një moment të tensioneve të larta në Lindjen e Mesme, mes përshkallëzimit të përplasjes ushtarake mes SHBA-së dhe Iranit.
Lini një Përgjigje