Analisti Plator Nesturi, deklaroi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të angazhuara seriozisht në mbylljen e tranzicionit të zgjatur politik dhe institucional në Shqipëri, përmes mbështetjes së drejtësisë dhe përzgjedhjes së figurave me integritet.
“Për ta përfunduar këtë tranzicion kaq të gjatë 35-vjeçar, ku realisht janë dominuar nga dinosaurët politikë, pa dhënë hapësirë për kontribute të reja dhe karriera të reja, SHBA po mbështet reformën në drejtësi dhe po nxit goditjen e korrupsionit dhe abuzimit me pushtetin”, u shpreh Nesturi.
Sipas tij, vëmendja e faktorit ndërkombëtar nuk është e kufizuar vetëm te drejtësia, por edhe te dinamika e re që po tentohet të futet në politikën shqiptare përmes mbështetjes ndaj individëve me prapavijë të pastër dhe me vizion ndryshe për të ardhmen.
“Janë parë parametrat e rinj. Kjo ide që SHBA është larguar nga Ballkani apo Shqipëria është plotësisht e pavërtetë. Përkundrazi, ata janë të vëmendshëm dhe të përfshirë në zhvillimet politike dhe institucionale të vendit”, theksoi Nesturi në “A2 CNN”.
Ai shtoi se ky angazhim mund të sjellë përmirësim në jetën parlamentare dhe brenda partive politike, të cilat i quajti “ende në frigorifer”. Sipas tij, përmes kësaj linje mbështetëse, mund të hapet rruga për reformim të brendshëm dhe përfshirje të emrave që përfaqësojnë realisht interesat e qytetarëve.
Deklaratat e Nesturit vijnë në një moment kur në opinionin publik është rikthyer debati për rolin e SHBA dhe BE në drejtësinë dhe jetën politike shqiptare, mes kritikëve që flasin për largim dhe atyre që shohin një prani të heshtur, por aktive.
Lini një Përgjigje