Profesori i njohur Lush Susaj ka mbajtur një nga fjalimet më të forta në protestën e zhvilluar para Kryeministrisë, duke iu drejtuar mijëra qytetarëve të mbledhur në bulevard me akuza të ashpra ndaj qeverisë dhe thirrje për vazhdimin e mobilizimit qytetar.
Në nisje të fjalës së tij, Susaj vlerësoi praninë e nënave dhe fëmijëve në protestë, duke e konsideruar atë si një moment domethënës të lëvizjes qytetare.
“Dolën në shesh nënat dhe foshnjat që janë engjëjt e Shqipërisë. Shpreh mirënjohje për çdo protestues dhe nënat e Shqipërisë kanë firmosur me dorën e tyre rrëzimin e diktaturës më të ndyrë”, deklaroi ai mes duartrokitjeve të protestuesve.
Profesori kritikoi ashpër mënyrën e qeverisjes gjatë viteve të fundit, duke e cilësuar periudhën e tranzicionit si një kohë të humbur nën ndikimin e korrupsionit dhe abuzimit me pasuritë publike.
Sipas tij, qytetarët po reagojnë ndaj një modeli qeverisës që ka prodhuar emigrim, varfëri dhe zhgënjim, ndërsa theksoi se protesta ka hyrë në një fazë ku, sipas tij, nuk mund të ndalet më.
Gjatë fjalës së tij, Susaj foli edhe për orientimin perëndimor të Shqipërisë dhe rëndësinë e marrëdhënieve me partnerët strategjikë, duke shprehur mbështetje për Bashkimin Europian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe investitorët e huaj.
Në fund të fjalimit, profesori iu drejtua kolegëve të tij në sistemin arsimor dhe universitar, duke u bërë thirrje të bashkohen me protestuesit.
“U bëj thirrje mësuesve dhe profesorëve të Shqipërisë, o kolegë të nderuar, hajdeni në shesh krah studentëve tuaj”, deklaroi Susaj.
Fjalimi i tij u prit me ovacione nga turma e mbledhur para Kryeministrisë, ku protesta po vijon me pjesëmarrje të lartë dhe me thirrje të vazhdueshme për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe largimin e qeverisë.
Lini një Përgjigje