Një nga momentet më prekëse të protestës së zhvilluar para Kryeministrisë ishte dëshmia e një qytetari që tha se prej tre vitesh po përballet me sëmundjen e kancerit. Fjalimi i tij u prit me duartrokitje të gjata dhe emocione nga mijëra protestuesit e mbledhur në bulevard.
Duke folur nga podiumi, ai denoncoi gjendjen në sistemin shëndetësor dhe veçanërisht në spitalin Onkologjik, për të cilin përdori krahasime të forta, duke e cilësuar si simbol të dështimit të institucioneve ndaj pacientëve.
“Jam një qytetar që vuaj prej 3 vitesh nga kanceri. Do e mund këtë sëmundje. Jo më larg se 3 kilometra nga këtu është një krematorium ku kanë vdekur 20 mijë veta. A është një Aushvic? Është turpi i kësaj godine, i këtij vendi, i 35 viteve”, deklaroi ai.
Në vijim të fjalës së tij, protestuesi u bëri thirrje qytetarëve të vazhdojnë mobilizimin dhe të mos tërhiqen nga kauza e tyre, duke lidhur problematikat e shëndetësisë me përgjegjësinë e institucioneve shtetërore.
Fjalimi i tij u shndërrua në një nga momentet më të komentuara të protestës, ndërsa shumë prej të pranishmëve iu bashkuan thirrjeve të tij me duartrokitje dhe brohoritje.
Lini një Përgjigje