Projekti parashikon një përbërje me 150 anëtarë nga Shqipëria dhe deri në 150 të tjerë nga diaspora, ndërsa drejtimi do t'i besohet një Këshilli Ekzekutiv me 21 anëtarë.
Lëvizja qytetare, që sot do të protestojë për të 29-ën herë kundër qeverisë ka nisur një etapë të re organizimi, duke hedhur në diskutim krijimin e një "Kuvendi Kombëtar Qytetar". Sipas nismëtarëve, kjo strukturë do të përfaqësojë protestuesit dhe do të ketë si synim ndryshimin e sistemit politik.
Nismën e ka bërë publike Përparim Gjeka, pjesë e grupit koordinues të protestës, i cili u ka bërë thirrje qytetarëve të aplikojnë për t'u përfshirë në këtë forum. Projekti parashikon një përbërje me 150 anëtarë nga Shqipëria dhe deri në 150 të tjerë nga diaspora, ndërsa drejtimi do t'i besohet një Këshilli Ekzekutiv me 21 anëtarë.
Sipas platformës së publikuar, nëse qeveria e kryeministrit Edi Rama largohet nga detyra, Kuvendi Kombëtar Qytetar do të propozojë ngritjen e një qeverie teknike tranzitore.
Tre institucionet kryesore të këtij Kuvendi, të cilat janë:
1-Kuvendi Kombëtar Qytetar
2-Këshilli Ekzekutiv i Kuvendit Kombëtar Qytetar
3-Mbledhja e Përgjithshme e Popullit Shqiptar.
Dokumenti përcakton se kjo strukturë synon të garantojë zbatimin e vullnetit të qytetarëve, ndërsa protestat do të vijojnë paralelisht me procesin e organizimit dhe nuk do të ndërpriten.
Mes kritereve të përcaktuara për anëtarësim është që kandidatët të mos kenë ushtruar funksione drejtuese në partitë e cilësuara si pjesë e "sistemit të vjetër". Po ashtu, ata duhet të mbështesin vazhdimin e protestës dhe të kundërshtojnë çdo kompromis që nuk përfshin dorëheqjen e kryeministrit.
Platforma përfshin edhe propozime mbi administrimin e pronave, organizimin institucional dhe funksionimin e strukturave të reja që synohen të ngrihen.
Deri tani nuk janë bërë publike procedurat për përzgjedhjen e anëtarëve. Nismëtarët kanë publikuar kontaktet e tyre për aplikimet, ndërsa platforma pritet të shqyrtohet fillimisht nga grupi koordinues dhe më pas t'u paraqitet protestuesve për miratim.
Postimi i Përparim Gjekës:
Protesta po kalon në një fazë tjetër, ku kërkohet një përfaqësim legjitim i zërit qytetar, prandaj do të zgjidhet një Kuvend Kombëtar Qytetar me bijtë e bijat më të mirë të popullit në Shqipëri dhe në Diasporë, që janë shprehur publikisht kundër kësaj kaste politike-oligarkike-kriminale-mediatike-patronazhiste, që po shet e shkreton Shqipërinë tonë.
Kush ka dëshirë të konkurrojë për këtë Kuvend, ju lutem më kontaktoni në Messenger dhe WhatsApp, 0683163191, që t'ju fus në grupin e madh që po krijohet.
Më poshtë lexoni projektidenë dhe kriteret:
Krijimi i Kuvendit Kombëtar qytetar dhe i mbledhjes së përgjithshme të popullit, si institucione të reja shoqërore për të ndryshuar sistemin e vjetër 80-vjeçar.
Për të zgjidhur problemin e vazhdimësisë dhe përfaqësimit të vërtetë e të fuqishëm të Protestës Kombëtare të Qershorit 2026 propozoj krijimin e institucioneve të reja shoqërore si më poshtë :
Kuvendi Kombëtar Qytetar është institucioni shoqëror që garanton ruajtjen, zbatimin dhe fuqizimin e vullnetit të popullit, cilësisht e pa devijime. Vullneti popullor i shprehur në mënyrë direkte gjatë Protestave të Mëdha Kombëtare të Qershorit 2026, dha pëlqimin që të krijojë tre institucione të reja shoqërore për të garantuar ndryshimin e sistemit shoqëror politik dhe nisjen e një rendi të ri më përparimtar dhe popullzhvillues. Këto tre institucione të reja janë :
1-Kuvendi Kombëtar Qytetar
2-Këshilli Ekzekutiv i Kuvendit Kombëtar Qytetar
3-Mbledhja e Përgjithshme e Popullit Shqiptar
Këto tre institucione u vendos që të krijohen për të bërë të mundur kontrollin e popullit përparimtar mbi qeverinë dhe shtetin, moslejimin e nëpërkëmbjes së të drejtave të qytetarëve shqiptarë nga pushtetarët që devijojnë prej vullnetit dhe dobisë së përbashkët shoqërore dhe zhvillimin e fuqishëm ekonomik e kulturor të Shqipërisë.
Kuvendi Kombëtar mbledh të gjithë njerëzit më aktivë, më përparimtarë, më të mençur politikisht, më dobiprurës për vendin, të cilët kanë qenë e janë më kundërshtuesit ndaj padrejtësive, nëpërkëmbjeve, gabimeve e dobësive të Sistemit të Vjetër 80 vjeçar.
Kuvendi Kombëtar Qytetar është institucioni shoqëror që qëndron mes shoqërisë e popullit dhe elitës ekzekutive të këtij populli.
Kuvendi Kombëtar Qytetar përfaqëson Mbledhjen e Përgjithshme të Popullit Shqiptar.
Kuvendi ka autoritet që të thërrasë të gjithë shoqërinë e popullin shqiptar që mori pjesë në Protestën Kombëtare të Qershorit 2026, si dhe të gjithë pjesën tjetër të shoqërisë shqiptare që është dakord me të, për tu rimbledhur sërish sa herë që Kuvendi Kombëtar Qytetar ndjen nevojën për tu përballur me pushtetin abuziv qeveritar, me fuqi të tjera që cënojnë Atdheun, ose që nëpërkëmbin në mënyrë serioze të drejtat, liritë dhe integritetin e shoqërisë shqiptare.
Kuvendi Kombëtar Qytetar funksionon në bazë të Rregullores së Brendshme e cila miratohet me votë nga vetë Kuvendi duke marrë edhe pëlqimin e Mbledhjes së Përgjithshme të Popullit. Por mbi të gjitha Kuvendi Kombëtar Qytetar udhëhiqet nga synimi madhor për të mbrojtur, ruajtur dhe zhvilluar mirëqenien, lartësimin dhe fuqizimin e shoqërisë dhe të Kombit Shqiptar, mes popujve të tjerë të botës, duke qenë njëkohësisht në paqe dhe harmoni me të drejtat e me zhvillimin e popujve të tjerë, për sa kohë që askush nuk cënon Kombin tonë.
Kuvendi Kombëtar Qytetar mblidhet të paktën 1 herë në vit në një datë që do të vendoset me votim prej vetë Kuvendit.
Gjithashtu Kuvendi Kombëtar mblidhet sa herë që është e nevojshme për të kryer detyrat e tij, për të zhvilluar e pjekur vetveten si institucion shoqëror dhe sa herë paraqitet nevoja për të thirrur Mbledhjen e Përgjithshme të Popullit.
Kuvendi Kombëtar Qytetar ka këto të drejta dhe kryen këto funksione :
1-Thërret sa herë të jetë e nevojshme Mbledhjen e Përgjithshme të Popullit Shqiptar (Protestën Kombëtare).
2-Emëron dhe shkarkon Këshillin Ekzekutiv të Kuvendit Kombëtar Qytetar si dhe çdo anëtar të veçantë të tij.
3-Pranon ose përjashton anëtarët e brendshëm dhe të jashtëm të Kuvendit Kombëtar Qytetar.
4-Në emër të Mbledhjes së Përgjithshme të Popullit Shqiptar, përcakton emrat e personave që do të krijojnë Qeverinë Teknike Tranzitore kur të largohet qeveria Rama dhe çdo qeveri tjetër teknike tranzitore që lyp vullnetin e popullit protestues të Protesës Kombëtare.
5-Nxit dhe zhvillon demokracinë e drejtpërdrejtë shoqërore në çdo zonë e krahinë të Shqipërisë e Shqiptarisë duke formuar Kuvende Komunitare të Demokracisë së Drejtpërdrejtë.
6-Është rojtar dhe zhvillues i përhershëm i vullnetit popullor të dalë nga Protesta Kombëtare e Qershorit 2026, për mbrojtjen, zhvillimin dhe përhapjen e të drejtave, lirive dhe mirëqenies së popullit dhe shoqërisë shqiptare.
7-Kundërshton padrejtësitë duke i artikuluar publikisht e duke i bërë thirrje institucioneve dhe popullit për tu ngritur e për të vepruar në mbrojtje të së drejtës e të së mirës.
Kuvendi Kombëtar ka dy forma anëtarësie dhe dy forma mbledhjeje e funksionimi:
1-Kuvendi Kombëtar normal me 150 anëtarë.
2-Kuvendi Kombëtar i zgjeruar me 300 anëtarë.
-Numri i anëtarëve mund të vendoset të rritet nëse vetë Kuvendi Kombëtar Qytetar e sheh të arsyeshme, por ky numër nuk lejohet të zvogëlohet nën të paktën 150 anëtarë.
-Gjithashtu Kuvendi Kombëtar Qytetar ka një anëtarësi të jashtme mbështetësish dhe këshilltarësh pa të drejtë vote, por me të drejtë për tu bërë pjesë e grupeve teknike të punës që ngre Kuvendi. Anëtarësia e jashtme përbëhet nga ata njerëz që kanë vullnet të mirë për tu bërë pjesë e Kuvendit Kombëtar Qytetar por nuk përmbushin plotësisht kriteret e anëtarësimit në radhët e brendshme të Kuvendit Kombëtar Qytetar.
Kuvendi Kombëtar normal me 150 anëtarë të brendshëm funksionon në normalitetin e përditshëm të shoqërisë shqiptare duke pasur në përbërjen e tij njerëz që gjenden çdo ditë në Shqipëri dhe marrin pjesë rregullisht e aktivisht në mbledhjet dhe punët e Kuvendit.
Kuvendi Kombëtar i zgjeruar përveç anëtarëve të tij aktivë, përfshin brenda radhëve të tij edhe 150 anëtarë nga diaspora dhe nga trojet e tjera shqiptare kudo që ndodhen, të cilët nuk marrin pjesë rregullisht në mbledhjet e punët e Kuvendit normal, por vijnë në mbledhje me rëndësi të jashtëzakonshme ose me rëndësi të madhe, për të fuqizuar e përbashkuar Kuvendin Kombëtar normal kur paraqitet nevoja.
150 anëtarët e Kuvendit Kombëtar Qytetar normal, duhet të përmbushin këto kritere për tu bërë pjesë e Kuvendit Kombëtar :
1-Të jenë atdhetarë e patriotë që duan Shqipërinë e Shqiptarinë dhe që njohin Gjergj Kastriotin si figurë madhore të popullit e Kombit Shqiptar.
2-Të jenë dakord së paku parimisht për formimin e Shqipërisë Etnike, pa cënuar popujt e kombet e tjera, por duke ruajtur gjithmonë me prioritet të drejtën e vërtetë të Kombit Shqiptar.
3-Të jenë dakord për të mbajtur të bashkuar Kuvendin Kombëtar Qytetar dhe për të zbatuar gjithmonë vendimet e Kuvendit Kombëtar edhe kur vota e tyre është kundër vendimit të marrë.
4-Të jenë dakord për të zbatuar gjithmonë vullnetin e Mbledhjes së Përgjithshme të Popullit Shqiptar, për ta mbrojtur e vënë në zbatim këtë vullnet, pa devijuar e pa u spërdredhur qoftë edhe kundër interesit të tyre imediat.
5-Të zbatojnë me përgjegjësi dhe përgjegjshmëri të lartë Rregulloren e Brendshme të Kuvendit Kombëtar.
6-Të mos kenë qenë zyrtarë të lartë të Sistemit të Vjetër 80 vjeçarë.
Të mos kenë qenë në shërbim të ditur a të paditur të këtij Sistemi 80 vjeçar populldhunues, e nëse kanë qenë në shërbim pa sjellë pasoja të rënda, ta dënojnë veprimtarinë e tyre të mëparshme dhe të bëjnë pendesë të thellë e të sinqertë për përfshirjen e tyre në gabimet e të shkuarës.
Të mos kenë qenë eksponentë me pushtet të mesëm e lart të partive të Sistemit të Vjetër.
Të mos kenë qenë agjentë të grupimeve të brendshme a të jashtme antishqiptare ose antipërparimtare.
7-Të jenë njerëz të mençur, të zotë, të aftë, me eksperiencë, aktivë, përparimtarë, të llogjikshëm, komunikues, bashkëpunues, dashamirës, të respektuar, të vërtetë, të ndershëm, me veprimtari atdhetare, patriotike shoqërizhvilluese. Nëse konstatohet gjatë punës që nuk janë sa duhet të tillë, do të nxirren nga anëtarësia e brendshme.
Të pranojnë ekzistencën e të vërtetës objektive, të së drejtës objektive dhe të së mirës objektive.
Të mos jenë intrigantë, gënjeshtarë, mashtrues, egoistë të vegjël, demagogë, interesaxhinj, frikacakë, apatikë, pa vullnet e pa veprime shoqërizhvillues. Të jenë të gatshëm për të disiplinuar dhe ndryshuar veten atje ku kanë dobësi e gabime.
8-Të mos pranojnë kompromis për zbatimin e vullnetit të popullit që kërkon dorëheqjen e Ramës dhe dënimin e burgosjen e Ramës dhe Berishës tok me bashkëpunëtorët e tyre të ngushtë. Asnjë kompromis për dorëheqjen e Ramës dhe për zhbërjen e Sistemit të Vjetër 80 vjeçar.
9-Të jenë për çertifikimin e shpejtë dhe të drejtë të pronave të paluajtshme në favor të banorëve autoktonë dhe të komuniteteve vendase e jo në favor të ish çifligarëve, oligarkëve dhe klientëve të pushtetit.
10-Të jenë pro familjes, pro kombit, pro pronës, por pa qenë urrejtës aktivë ndaj të tjerëve.
11-Të jenë nga të gjitha krahinat, zonat dhe rajonet e Shqipërisë, nga të gjitha segmentet e lëvizjet e aktivizmit e të veprimtarisë përparimtare, për ta përbashkuar Shqipërinë pa dallim, krahine, zone, rajoni, pa dallim feje, gjinie e rryme mendimore.
Kuvendi Kombëtar i merr vendimet me dakordësinë e të paktën 2/3 të numrit total të anëtarëve të tij ose me 2/3 e votave të kuorumit.
Kuorumi formohet me të paktën 70% të numrit total të anëtarësisë.
Për proçesin e propozim-diskutim-votim-vendimit Kuvendi Kombëtar zbaton rigorizisht Rregullat e Komunikimit Shoqërizhvillues dhe Rregullat e Llogjikës Shkencore. Anëtarët që thyejnë këto rregulla në mënyrë të përsëritur humbasin përkohësisht të drejtën për votim dhe për tu bërë pjesë e vendimmarrjes. E nëse këmbëngulin në mënyrë të vazhdueshme e të dëmshme për të mohuar rregullat, humbasin të drejtën për të qenë anëtarë të brendshëm të Kuvendit Kombëtar Qytetar.
Në të gjithë veprimtarinë e tij Kuvendi Kombëtar Qytetar udhëhiqet prej synimit madhor për t'i sjellë mirëqenie, prosperitet, zhvillim, lartësim dhe fuqizim, popullit e kombit shqiptar si dhe individit, familjes e komuniteteve të të gjitha rajoneve të Shqipërisë.
Cilido nga anëtarët që bie ndesh në mënyrë të provuar me këtë synim madhor, humbet të drejtën për të qenë anëtar i brendshëm i Kuvendit Kombëtar Qytetar.
Kuvendi Kombëtar mblidhet në çdo kohë nëse e thërrasin të paktën 12 anëtarë të brendshëm mbledhjen e tij.
Kuvendi Kombëtar Qytetar zgjedh nga radhët e tij një Këshill Ekzekutiv me 21 anëtarë, të cilët mund të ndryshohen ose të shkarkohen prej Kuvendit, në çdo kohë që Kuvendi Kombëtar Qytetar e sheh të arsyeshme. Kuvendi Kombëtar Qytetar mund të zhbëjë në çdo kohë që e sheh të arsyeshme vendimet e Këshillit Ekzekutiv.
Këshilli Ekzekutiv punon autonom brenda frymës dhe vendimeve të Kuvendut, duke qenë përfaqësues ekzekutiv i Kuvendit Kombëtar Qytetar.
Gjithashtu Kuvendi Kombëtar zgjedh prej Këshillit Ekzekutiv një Sekretariat Kolegjial me 3 anëtarë ku njëri është Koordinues i Këshillit Ekzekutiv dhe 2 janë Ndihmësa të Koordinuesit. Vendimet që merr Koordinuesi duhet të miratohen nga të paktën edhe njëri prej Ndihmësave që të hyjnë në fuqi.
Këshilli Ekzekutiv krijon grupe pune teknike për të kryer detyra të ndryshme. Krijimi i grupeve të punës duhet të miratohet nga Kuvendi Kombëtar. Kuvendi mund të urdhërojë zhbërjen e grupeve të punës.
Kuvendi Kombëtar, Këshilli Ekzekutiv dhe Sekretariati Koordinues Kolegjial nuk janë institucione që konkurojnë me institucionet kushtetuese, por janë institucione shoqërore që garantojnë Mbledhjen e Përgjithshme të Popullit dhe ruajtjen e zhvillimin e punës së institucioneve kushtetuese sipas vullnetit popullor. Nëse qeveria dhe parlamenti gabojnë rëndë dhe shkelin të drejtën e popullit Kuvendi Kombëtar si institucion shoqëror i dalë nga Protesta Kombëtare dhe që pasqyron në miniaturë Protestën Popullore, mblidhet dhe pasi mbledh popullin e ngre popullin në protestë deri sa institucionet të ndryshojnë qëndrimin e gabuar.
Duke qenë prej fillimit pjesë e Grupit Nismëtar Koordinues të Aktivistëve, që nisi Protestën Kombëtare, ky projekt propozim duhet të miratohet më parë prej Grupit Nismëtar Koordinues të Aktivistëve Atdhetarë e pastaj nga Mbledhja e Popullit në shesh dhe vetëm me miratimin e mbarë popullit që gjendet i mbledhur në shesh, mund të hyjë në fuqi për tu zbatuar shoqërisht.
NDËRKOHË PROTESTA KOMBËTARE TË VAZHDOJË PA U NDALUR, KRIJIMI I KUVENDIT KOMBËTAR QYTETAR NUK DO TË THOTË NDËRPRERJE E PROTESTËS KOMBËTARE, PËRKUNDRAZI ËSHTË FUQIZIM DHE VAZHDIM I SAJ.
Edviol Kryendrituri (Kulluri)
Aktivist dhe anëtar i Grupit Nismëtar Koordinues të Protestës Kombëtare
P.S. Ky eshte nje propozim qe po diskutohet e konturohet. Ideja kryesore eshte te hapet dhe perfaqesohet e te forcohet me teper protesta per arritjen e qellimit final, rrezimit te qeverise Rama.
Lini një Përgjigje