Publicisti Ndriçim Kulla ishte një nga folësit në protestën e sotme qytetare para godinës së Kryeministrisë, e cila nisi 29 ditë më parë dhe zhvillohet pa ndërprerje, ndërsa mijëra protestues kërkojnë dorëheqjen e Edi Ramës.
Shkrimtari prezantoi librin e tij "Tirania e buzëqeshjes", ku e cilëson kryeministrin si diktator, ndërsa u bëri thirrje qytetarëve dhe politikës të reflektojnë mbi protestën.
Kulla tha se ishte i pranishëm jo vetëm si qytetar, por edhe si intelektual, duke theksuar rëndësinë e kulturës në jetën politike dhe shoqërore.
Në fjalën e tij, Kulla u shpreh se kultura ndihmon në ndriçimin e mendjes dhe argumentoi se mungesa e saj ka sjellë situatën aktuale politike në vend. Ai krahasoi qëndrimin e kryeministrit Edi Rama në pushtet me standarde që, sipas tij, nuk do të pranoheshin në vende të tjera evropiane.
Kulla tha se kishte menduar të rishkruante librin e tij "Kush jemi shqiptarët", për shkak të zhgënjimit me zhvillimet në vend, por shtoi se protesta i kishte rikthyer shpresën dhe optimizmin. Ai e cilësoi tubimin si një "revolucion" dhe u bëri thirrje politikanëve të reflektojnë mbi mesazhin e protestuesve dhe të nxjerrin mësime nga, sipas tij, "tragjeditë" që janë krijuar.
Sipas Kullës, diktatorët modernë nuk vijnë në pushtet përmes tankeve apo represionit të drejtpërdrejtë, por përmes spektaklit, premtimeve dhe komunikimit publik, ndërsa shtoi se libri i tij synon të argumentojë këtë tezë në rastin e kryeministrit Rama.
Në përfundim të fjalës, ai u bëri thirrje pjesëmarrësve që të vijojnë protestën deri në largimin e Edi Ramës nga pushteti.
“Jam këtu jo vetëm si qytetar. Edhe si një intelektual. Dëshiroj që zemërimin tuaj ta përziejmë edhe pak me kulturë se shikoj një defekt të madh. Kultura të ndriçon mendjen. Nëse do ishim të kulturuar nuk do kishim arritur një ngërç të tillë.
Edi Ramën kroatët nuk do e kishim mbajt as 2 vjet. Ne po e mbajmë 16 vjet. Kam bërë një libër kush jemi shqiptarët. Në këto momente kam qenë i dëshpëruar mendoja të rishkruaja librin.
Kjo protestë na ka dhënë shpresë të gjithëve. Na ka ushqyer me optimizëm, e quaj revolucion. Pa shtuar asgjë. Si parathënie ju bëj thirrje politikanëve të meditojnë mbi këtë revolucion. Ti vënë gishtin kokës dhe të nxjerrin mësime nga tragjeditë që na kanë krijuar.
Kam ardhur me një dhuratë. Kam medituar gjatë mbi qeverisjen e Ramës dhe kam bërë një libër e quaj diktator, me arsyetim, literaturë me psiqitri, me psikologji me shkencë me një fjalë. Që ky është një nga prurjet më shkatërruese që i ka ardhur kombit shqiptar. Ai është spektakolar, e kam quajtur Djalli, Makbethi që jeton me pushtetin. Libri im, “Tirania e buzëqeshjes”.
Diktatorët si Edi Rama, tipik nuk kanë ardhur me tanke, dhunë represione kanë ardhur me spektakël buzëqeshje me skena, me premtime me batuta. Por gjithmonë nuk kanë ardhur me ide institucionesh. Kanë ardhur me ide pushteti.
Në libër do gjeni një analizë të Edi Ramës. Dua tju bëj thirrje këtë protestë nuk do e lëshoni, derisa të rrëzohet Edi Rama. Përpara!”, tha ai.
Lini një Përgjigje