Rekordi i pjesëmarrjes është thyer në ditën e 11-të të protestës në Tiranë, teksa mijëra qytetarë mbushën Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” nga zona e Ministrisë së Brendshme deri pranë hotelit “Rogner”, në tubimin më masiv që prej nisjes së lëvizjes.
Protestuesit kërkuan dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, ndryshime politike dhe largimin e klasës së vjetër politike, ndërsa sheshi u mbush me pankarta, flamuj kombëtarë dhe thirrje kundër qeverisë.
Gjatë tubimit u dëgjuan vazhdimisht thirrje si “Rama ik”, “Rama në burg, Berisha në burg”, “Shqipëri e Re”, “Qeveri e krimit” dhe “Edi Rama o tradhtar, jep dorëheqjen sa më parë”, ndërsa pjesëmarrësit kërkuan largimin e klasës së vjetër politike dhe ngritjen e një modeli të ri qeverisjeje.
Protesta u karakterizua edhe nga një numër i madh pankartash kreative dhe ironike, të cilat dominuan bulevardin. Mes tyre spikatën mesazhe si “Tepsia do kurban”, “O Sali o fosil”, “Qeveri e re, rrënjësisht” dhe “Nuk i ke larë akoma hesapet me studentët”.
Pjesëmarrësit deklaruan se pavarësisht presioneve dhe kritikave, mobilizimi qytetar po rritet nga dita në ditë. Sipas tyre, sa më shumë përpiqen t’i dekurajojnë protestat, aq më shumë qytetarë po i bashkohen lëvizjes.
Gjatë mbrëmjes, atmosfera në bulevard u shoqërua me brohoritje, duartrokitje dhe fjalime nga aktivistë e qytetarë, të cilët kërkuan vijimin e protestave deri në realizimin e kërkesave të tyre.
Organizatorët kanë paralajmëruar se protestat do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, duke këmbëngulur se lëvizja po fiton gjithnjë e më shumë mbështetje qytetare në të gjithë vendin.
Lini një Përgjigje