
Ish-prokurori i Krimeve të Rënda, Eugen Beci është pyetur në lidhje me mosarrestimin e Suel Çelës edhe pse ka kaluar një vit nga shpallja e tij në kërkim ndërkombëtar.
I ftuar në Euronews Albania, Beci tha se nga pikëpamja proceduriale GJKKO e ka mbaruar detyrën e saj me shpalljen në kërkim ndërkombëtar të Çelës.
Sipas tij tashmë është vetëm në dorën e policisë, e cila në mbështetje nga SPAK, duhet të gjejë vendndodhjen e personit.
“Ky është një proces që nga pikëpamja proceduriale realizohet në fshehtësi dhe në sekret të plotë për sa i përket zbulimit të vendodhjes së një personi i cili është në kërkim për shkak të një mase sigurimi që i ka caktuar Gjykata e Posaçme. Nga pikëpamja proceduriale, Gjykata e Posaçme ka realizuar tërë procesin, nxjerren e masës së sigurimit dhe shpalljen në kërkim ndërkombëtar të këtij shtetasi.
Tani është absolutisht vetëm detyra e policisë që të bëjë kërkime të plota për këtë person, me mbështetjen e Prokurorisë së Posaçme. Nga pikëpamja proceduriale do të duhet që çdo informacion i inteligjencës informative që merr policia të përkthehet në veprime proceduriale për të realizuar procesin e përgjimit dhe lëvizjes së personave për të gjetur më pas vendodhjen e saktë të personave”, u shpreh Beci.