Aktualitet19 Maj 2023, 22:03

Nga CEZ te vrasja e Azem Hajdarit/ Mbylli dosjet e Berishës, Shkëlzenit e Bashës, gjyqtari Lazër Sallaku del para Vetingut

Shkruar nga Adriatik Doci

Nga CEZ te vrasja e Azem Hajdarit/ Mbylli dosjet e Berishës,

Më në fund do të dalë para Vetingut një nga gjyqtarët më të lakuar vitet e fundit, për shkak të vendimeve të diskutueshme për disa dosje që kanë prodhuar polemika dhe përplasje të forta politike.

Bëhet fjalë për gjyqtarin e Tiranës, Lazër Sallaku, emri i të cilit lidhet me mbylljen e dosjes së lobimit rus të Lulzim Bashës dhe mbylljen e dosjes CEZ, me mbi 400 milionë euro kosto për buxhetin e shtetit, ku të kallëzuar ishin ish-kryeministri Sali Berisha, i biri Shkëlzen Berisha, sekseri kyç Nuel Kalaj, ish-ministrat Ridvan Bode, Genc Ruli, Florion Mima, ish-zëvendësministra, ish-drejtorë etj.

Lazer Sallaku ka marrë pjesë edhe në rigjykimin e rolit të ish truprojës së Sali Berishës, Izet Haxhaj, në vrasjen e Azem Hajdarit, konsideruar si ‘vrasja e shekullit’. Haxhia u dënua në 11 shkurt 2022 me 21 vite burg si bashkëpunëtor në vrasjen e Azem Hajdarit. Në vendim thuhet se vrasja e Azem Hajdarit nuk është politike, por për shkak të hakmarrjes, konkretisht për të marrë hak për vrasjen e Shkëlqim Haklajt.

Lazer Sallaku do të dalë para Komisionit të Vetingut në 24 prill 2013, ndërsa trupa gjykuese përbëhet nga Pamela Qirko, Roland Ilia dhe Brunilda Bekteshi. Procesi i verifikimit për gjyqtarin Sallaku ka nisur që në qershor të vitit 2020, gati prej dy vitesh. Lazër Sallaku është emëruar gjyqtar në Gjykatën e Durrësit në 5 prill të vitit 2010, me dekret të Bamir Topit, në atë kohë President. Emri i Sallakut iu propozua Topit nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë katër ditë para emërimit. Në atë kohë Sallaku ishte inspektor pranë Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Këtë detyrë e ushtronte që nga viti 2007. Në dhjetor të 2013, Sallaku transferohet në Tiranë me vendim të KLD, e cila në atë kohë drejtohej nga Bujar Nishani.

Në vitin 2012, Sallaku deklaron pasuri në emër të gruas së dytë, Alma Sallaku. Gjyqtari thotë se bashkëshortja e re ka marrë një dhuratë prej 40 mijë eurosh nga nëna e saj, me rastin e martesës. Në vitin 2007, gjyqtari deklaron një motoskaf me vlerë 300 000 lekë dhe një makinë ‘Mitsubish’ me vlerë 700 000 lekë, të cilët i shet më vonë. Deklaron një apartament në Tiranë me sipërfaqe 110 m2, me vlerë 60 mijë euro, me burim kredi bankare. Në vitin 2014 porosit një apartament 2+1, ku bashkë me bashkëshorten paguan dy këstet e para në shumën 33 727 euro.

berisha sallaku