TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet26 Shtator 2025, 21:02

Pse SPAK nuk e ka vënë "ujin në zjarr” për samitin e Aruba-s?

Shkruar nga Pamfleti

Pse SPAK nuk e ka vënë "ujin në zjarr” për

SPAK do të ishte mirë t’i jepte një informacion publikut nëse për ngjarjen në fjalë ka të dhëna të tilla për të filluar një hetim, minimum një njoftim...

Teksa amerikanët po e vënë theksin disa herë te krimi i organizuar, SPAK duket se nuk po i merr mesazhet e duhura. Edhe sot e dërguar e SHBA e bëri të qartë se krimi i organizuar është rrezik shumë i madh.

Deklarata u bë në një takim me ministren e Brendshme Albana Koçiu dhe erdhi pas daljes së detajeve për të ashtuquajturin "Samiti i Arubas".

Gazeta italiane “Domani” publikoi disa pasazhe nga libri “Invincibili. La mafia albanese da Roma alla conquista del mondo” i autorit Nello Trocchia. Aty tregohen detaje mbi rolin e grupeve shqiptare të drogës, teksa përmenden edhe emra të afërt me qeverinë. Në artikull përmendej një takim në Karaibe, mes bandave të krimit dhe njerëzve të kryeministrit Rama.

Lajmi ka bërë bujë në vendin tonë, teksa është kambanë alarmi për autoritetet. Sipas mediave Italiane, takimi ka ndodhur disa vite më parë dhe ka përgjime e prova. Por ajo që bie në sy është se SPAK nuk është vënë fare në lëvizje.

Kjo është komentuar dhe nga ish-prokurori Gentian Trenova. Sipas Trenovës, ky informacion është vetëm një pjesë e vogël e realitetit dhe fakti që zbulohet tani, për një ngjarje të vitit 2019, është “tepër i çuditshëm”.

Lajmi që ka nxjerrë gazetari italian mund të jetë vetëm një pjesë e vogël e tablosë së përgjithshme për të cilën bëhet fjalë. Gjithsesi është e çuditshme që ky informacion ka dalë tani. Bëhet fjalë për vitin 2019 dhe nuk kemi informacion të plotë nëse autoritetet e huaja kanë kryer hetime në lidhje me këtë rast, apo në çfarë faze janë hetimet dhe kush janë autoritetet e huaja përveç atyre italiane, nëse ka. Nëse autoritetet amerikane, DEA për shembull, ka bërë hetimet e saj dhe deri në çfarë niveli ato janë”, tha ish-prokurori në një intervistë për Syri TV.

Ai ngriti pikëpyetje mbi rolin e autoriteteve amerikane, si DEA, për të cilat nuk dihet nëse kanë kryer hetime dhe në çfarë niveli.

Sipas tij, Shqipëria prej vitesh është akuzuar në raportet ndërkombëtare për bashkëpunim të qeverisë me organizatat kriminale dhe pastrimin e parave përmes investimeve, por autoritetet shqiptare kanë zgjedhur të mos veprojnë.

Është ideja që në Shqipëri u bënë shumë vite që Shqipëria dhe qeveria shqiptare akuzoheshin dhe nga mediat ndërkombëtare, por edhe nga raporte të huaja të fshehta apo të hapura, publike, që është e qartë që bashkëpunojnë me organizata kriminale në funksion e sjelljes së parave të narkotrafikut dhe pastrimit të tyre në Shqipëri nëpërmjet investimeve të ndryshme që bëhen në fusha të ndryshme. Kjo është e njohur, flitet çdo ditë, por kjo ngelet vetëm në kuadër fjalësh, por nuk është se autoritetet përgjegjëse kanë bërë hapat e duhur, pra nuk shohim të jenë bërë hapat e duhur, të nevojshëm që kanë detyrimin ligjor, minimum të fillonin hetimet. SPAK do të ishte mirë t’i jepte një informacion publikut nëse për ngjarjen në fjalë ka të dhëna të tilla për të filluar një hetim, minimum një njoftim”, u shpreh Trenova.

Ai i kërkoi SPAK të japë qoftë edhe një informacion minimal për publikun, nëse disponon të dhëna që justifikojnë nisjen e një hetimi. Sipas tij, situata është e rëndë, sepse pavarësisht reformës në drejtësi dhe fondeve të mëdha të hedhura nga ndërkombëtarët, korrupsioni dhe krimi i organizuar jo vetëm që nuk janë frenuar, por janë rritur vit pas viti.

Gjëja më e rëndë është që autoritetet shqiptare nuk hetojnë për gjërat e rëndësishme, për gjërat që i interesojnë publikut, madje, madje futemi edhe në një lloj absurditeti sepse këtu është bërë një reformë e madhe në drejtësi, ku janë paguar shumë para nga autoritetet e huaja dhe nga shteti shqiptar për të pasur një institucion që të luftojë korrupsionin, ndërkohë ka ndodhur e kundërta: korrupsioni nga viti në vit është rritur, po ashtu edhe krimi i organizuar, ku edhe forca e krimit të organizuar është rritur nga viti në vit.  Ndërkohë absurditeti vazhdon sepse sërish vazhdon të lavdërohet reforma në drejtësi nga autoritetet e huaja, nga BE, ndërkohë që këto institucione që kanë dalë nga kjo reformë kanë dështuar”, tha Trenova.

Lini një Përgjigje