
Gazetari Osman Stafa ka reaguar lidhur me deklarata e QSUT-së, të cilat i cilëson si gënjeshtra.
Stafa shkruan se emaili zyrtar i QSUT-së tregon që shërbimi laboratorik është i kufizuar: tarifat kanë arritur tavanin mujor, koncesionari mbulon vetëm 5% të analizave dhe çdo kërkesë për test duhet të miratohet nga zv/drejtori teknik për rastet urgjente.
Sipas tij, kjo do të thotë se shumica e pacientëve nuk mund të bëjnë analizat e tyre, ndërsa ata që janë në gjendje kritike përballen me burokraci dhe vonesa.
Gazetari shton se drejtuesit e QSUT po mohojnë këtë realitet, duke rrezikuar shëndetin dhe jetën e qytetarëve.
Shëndeti nuk mund të matet me buxhet. Pyetja është e thjeshtë: pacientët marrin analizat në kohë apo duhet të presin muajin tjetër ose të shkojnë në privat?”, shkruan Stafa në reagimin e tij.
Reagimi i gazetarit Osman Stafa:
Emaili i vetë QSUT-së që kam publikuar pak ditë më parë, provon me fakte, e zeza mbi të bardhë, se drejtuesit e këtij institucioni po gënjejnë publikisht.
Në këtë email zyrtar, QSUT njofton qartë se:
Tarifat e shërbimit laboratorik të koncesionarit kanë arritur 100% të tavanit buxhetor mujor;
Nga data 25 gusht deri më 1 shtator, shërbimi laboratorik do të ofrohet vetëm për raste urgjente dhe shumë të rënda;
Koncesionari, sipas kontratës, do të mbulojë vetëm një 5% të volumit të përgjithshëm të analizave;
Çdo kërkesë për analiza do të kalojë në filtrin burokratik të zv/drejtorit teknik, i cili do të vendosë nëse një analizë do të kryhet apo jo.
Pra, jo vetëm që shërbimi laboratorik është i kufizuar, por pacientët e zakonshëm përjashtohen nga e drejta për të marrë analizat e tyre, sepse buxheti është konsumuar.
Por edhe ata në gjendje të rëndë apo raste urgjente, s'mund të bëjnë analiza direkt. Fillimisht mjekët e këtyre pacientëve, duhet të kërkojnë konfirmim për të bërë analizat tek zv/drejtori i PAI-t. Nëse ai thotë po, bëhen, nëse thotë jo, pacienti në gjendje të rëndë apo urgjent do presë. Se sa kohë kërkohet konfirmim edhe për këto raste, do të thotë që kërkesa mund të refuzohet, apo jo?
Në këtë dokument nuk ka asnjë vend për keqinterpretim: është ndërprerje faktike e shërbimit laboratorik për shumicën e pacientëve. Kjo është provë e pakundërshtueshme që QSUT gënjen publikisht kur mohon problemet.
Dhe pikërisht këtu qëndron më e rënda: QSUT gënjen me vetëdije. Drejtuesit e këtij institucioni e dinë shumë mirë si funksionon sistemi, e dinë që buxheti është shteruar, e dinë që shërbimet janë kufizuar, por përsëri dalin e mohojnë. Kur një institucion gënjen me dashje, jo vetëm që mashtron qytetarët, por e bën në mënyrën më të ndyrë të mundshme: duke luajtur me jetën dhe shëndetin e pacientëve.
Shëndeti i qytetarëve nuk mund të matet me tavan buxheti dhe përqindje koncesioni. Ky është një skandal i rëndë menaxhimi dhe një tradhti ndaj pacientëve që presin me ditë e netë diagnozën dhe kurimin e tyre.
Në vend që të merren me mohime boshe dhe akuza për ‘lajme të rreme’, drejtuesit e QSUT duhet të dalin para publikut dhe të pranojnë të vërtetën: sistemi i laboratorëve është futur në kolaps financiar dhe viktimat e para janë pacientët.
Pastaj më shumë se akuzat e mia, apo reagimet e QSUT-së, përgjigjen e kësaj situate e dinë pacientët. A i bëjnë ata analizat 10 ditët e fundit të muajit në spital, apo presin muajin tjetër? Apo shkojnë në privat?
Lini një Përgjigje