
Një 30-vjeçar i për të investuar në firmat piramidale online ka treguar se ai u përfshi në këtë skemë më datë 16 gusht, pasi ia sugjeroi një shok.
Ai thotë se vetë investoi 2 mijë euro. Bashkë me të u futën në investim edhe 5 të afërm të tij, që në total vlera e tyre e investimit në platformat online shkon në 8 mijë euro.
“Jam përfshirë në datë 16 gusht. Ma sugjeroi një shok që kishte dëgjuar në shoqëritë e veta që kishin investuar dhe kishin bërë tërheqje. Unë nuk kam parë që dikush të ketë bërë tërheqje. Kam investuar 2000 euro. Përveç meje janë dhe 5 persona të tjerë që kanë investuar në këtë platformë, janë njerëzit e mi të afërt. Shuma totale është 8 mijë euro. Deri në 24 gusht askush nuk ka tërhequr. Duhet të mbushje 1 muaj që të të kthehej me 5%. Në momentin që bën aplikimet të sakta, komunikimi ishte me anë të Telegramit. Ishin 13 mijë pjesëtarë. Nëse nuk investon nuk hyn dot te ai grupi. Dërgon të dhënat e tua dhe gjendjen e llogarisë, pastaj bëhej verifikimi dhe të kalonte te grupi 169”, -tha 30 vjeçari.
Komunikimet bëheshin në aplikacionin Telegram, që siç tregon 30-vjeçari, të integronin vetëm pasi të kishe treguar provat e investimit të parave në platformat online që rezultuan skema piramidale. Vlera fillestare e investimit ishte 850 euro.
“Kevini ishte kryesori, dërgonte sinjal që ti të kapje e të rrisje vlerën e lekut. Kishte 8 sinjale në ditë, kur duhet të bëje investim. Vlera ishte me anë të përqindjes që mund të kapje. Vlera e investimit fillonte 850 euro e lart. Sa më shumë të investojë aq më shumë përfitoje”.
I mashtruari tregon se në portofolin e tij dixhital ka aktualisht 5600 euro, por është i bindur se nuk mund t’i tërheqë dhe se ka rënë pre e mashtrimit.
“Për momentin kam 5600 euro në portofolin dixhital. E kuptuam që ishte skemë mashtrimi por ishte tepër vonë”.
Vetë ra pre e kësaj skeme piramidale online, por ka një apel për qytetarët e tjerë.
“Një mesazh kisha për të gjithë, askush mos të investojë në këto skema piramidale që thjesht vjedhin popullin dhe kursimet e tyre”.
Intervista e 30-vjeçarit për Report Tv është dhënë në kushtet e anonimatit./ Shqiptarja.com
Lini një Përgjigje