TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet20 Qershor 2026, 20:46

"Rama jep dorëheqjen", mesazhet e forta nga mega-protesta: Mërgata është këtu, koha juaj ka marrë fund

Shkruar nga Pamfleti
"Rama jep dorëheqjen", mesazhet e forta nga mega-protesta:
Pamje nga protesta

Një nga protestat më të mëdha të zhvilluara ndonjëherë në Tiranë ka mbledhur mijëra shqiptarë nga vendi dhe diaspora. Nga foltorja janë lëshuar akuza të forta ndaj Edi Ramës, ndërsa protestuesit kërkojnë largimin e tij nga pushteti.

Një det njerëzish ka mbushur bulevardin e Tiranës në protestën e 21-të kundër qeverisë, e konsideruar nga pjesëmarrësit si një nga mobilizimet më të mëdha qytetare të viteve të fundit.

Mes mijëra protestuesve që kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, një nga zërat më të fortë ishte ai i një shqiptari të ardhur nga Londra, i cili foli për emigracionin dhe plagët që, sipas tij, kanë lënë dekada largimi nga vendi.

Edi Rama, nuk t'i fal kurrë lotët e nënës time kur na përcillte për në Britani. Nuk arrinin të njihnin as nipërit, as mbesat sepse ti doje të gllabëroje Shqipërinë. Gabove rëndë sepse mërgata është këtu. Rama jep dorëheqjen. Koha juaj ka marrë fund, sepse populli shqiptar nuk është dele. Dhe që mos të vijë një fund shumë i hidhur, jepni dorëheqjen”, u shpreh ai mes duartrokitjeve të protestuesve.

Mesazhe të forta pati edhe nga protestues të tjerë, të cilët akuzuan kryeministrin për kapjen e pushtetit dhe kërkuan largimin e tij.

Ke thënë unë nuk lë timonin dhe tepsinë. Ke për t'i lënë të gjitha, se nuk e ke pronë këtë vend. Edi Rama në burg. Ke të gjithë shqiptarët e bashkuar dhe duan dorëheqjen tënde”, deklaroi një tjetër protestues nga podiumi.

Protesta e sotme ka shënuar pjesëmarrjen më të madhe që prej nisjes së lëvizjes 21 ditë më parë. Krahas qytetarëve nga e gjithë Shqipëria, në Tiranë kanë mbërritur edhe qindra emigrantë nga Britania, Gjermania, Italia, Greqia dhe vende të tjera europiane.

Mes flamujve kuqezi dhe thirrjeve "Rama ik", "Rama në burg", "Berisha në burg" dhe "Shqipëri e Re", protestuesit kanë përsëritur kërkesën për largimin e kryeministrit dhe fundin e klasës politike që ka dominuar vendin në tre dekadat e fundit.

Për shumë prej pjesëmarrësve, protesta e sotme nuk është vetëm një demonstrim kundër qeverisë, por një shfaqje force e një pakënaqësie që prej tre javësh po mbledh në shesh shqiptarë nga të gjitha trevat dhe diaspora.

Lini një Përgjigje