TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 5 Shkurt 2026, 21:53

Reforma Territoriale, Lutfi Dervishi: Asnjë nga bashkitë e vendit nuk gjeneron të ardhura për të mbajtur veten!

Shkruar nga Pamfleti
Reforma Territoriale, Lutfi Dervishi: Asnjë nga bashkitë e vendit nuk
Gazetari Lutfi Dervishi

Gazetari Lutfi Dervishi, duke folur për Reformën Territoriale, u shpreh se aktualisht asnjë nga 61 bashkitë në Shqipëri nuk është financiarisht e qëndrueshme dhe nuk arrin të vetëmbajë funksionimin e saj. Sipas tij, debati për reformën nuk duhet të fokusohet vetëm te numri i bashkive, por te parimet mbi të cilat ajo ndërtohet.

Dervishi theksoi se Shqipëria ka ekspertë të fushës së pushtetit lokal, si brenda vendit ashtu edhe jashtë tij, por problemi kryesor mbetet përplasja mes ekspertizës dhe vullnetit politik. Sipas tij, procesi i reformës kërkon një volum shumë të madh ndryshimesh ligjore, por kjo është e realizueshme nëse ka dakordësi për parimet bazë. Ai renditi si të domosdoshme një inventar të saktë territorial, ruajtjen e karakteristikave historike dhe funksionalizimin real të njësive vendore, duke përmendur edhe detyrime të mundshme që lidhen me minoritetet.

“Vendi ka ekspertë që e njohin pushtetin lokal. Tani, ideja është se si do gërshetohet ekspertiza që nuk mungon, qoftë lokale, qoftë edhe e huaj, me dëshirat politike. Para dy vitesh, PD-ja paraqiti në komision disa variante me anë të një eksperti të njohur të pushtetit lokal dhe para dy vitesh PS-ja tha "s'kemi nevojë të ndryshojmë asgjë”. Thelbi është ky. Nëse do të bëjmë një reformë, pyetja e parë është kjo: sa bashki kemi ne nga 61 bashkitë, që e mbajnë veten, gjenerojnë të ardhura dhe e mbajnë veten? Asnjë. E dyta, a mendojmë ne që do të jetë një pushtet autonom? Në Shqipëri votojmë vetëm për kryetarët e bashkive. Kryetari i bashkisë është i vetmi institucion që zgjidhet drejtpërdrejtë nga njerëzit. Meqë ndërthuren të dyja, anëtarët e Këshillit Bashkiak do duhet të votohen nga njerëzit apo do të jetë thjesht lista e partive? Volumi i ligjeve që do duhet të kalojnë në këto dy vite është tmerrësisht i madh edhe kjo historia e ngarkesës është e mirëqenë, por është edhe e mjaftueshme nëse bien dakord për principet. Së pari, është inventari i saktë. E dyta, karakteristikat historike që duhen ruajtur dhe e treta duhet t'i bësh funksionale. Ndoshta ke ndonjë detyrim për shkak të minoriteteve me një apo dy komuna apo bashki, por pjesa tjetër ka të bëjë me një vullnet politik që hajde ku do jetë kompromisi se çështja për ekspertët është krejt e qartë”, tha Dervishi në studion e “Off the Record”, në A2CNN.

Në vijim të deklaratës së tij, Dervishi kritikoi mungesën e komunikimit me publikun, duke thënë se pa këtë element opozita nuk mund të përfitojë politikisht. Ai akuzoi mazhorancën për arrogancë dhe për shpërfillje të Kushtetutës, ligjit dhe procedurave parlamentare, ndërsa theksoi se sfida kryesore për opozitën është të bindë qytetarët se alternativat e saj janë më të mira.

Nuk është çështja thjesht tek numrat, por çështja është tek parimet për të cilët duhet të bihet dakort. Dhe nëse mungon komunikimi me publikun, asnjëherë nuk do arrish të marrësh avantazh elektoral kur je në opozitë. Pra, njerëzit sot duhet ta dinë. Mazhoranca i ka votat. Jemi në një kohë që mazhoranca është arrogante, nuk pyet për Kushtetutën, nuk pyet për ligjin, nuk pyet për rregulloren, nuk pyet për procedurën, nuk pyet për kodet. E ka treguar në të gjitha nivelet që nuk e bën. Çështja është ti çfarë arrin të komunikosh, si do arrish t'i bindësh njerëzit që po varianti që unë po kërkoj është varianti më i mirë. Ke një avantazh të madh, sepse kjo reformë tashmë është në pikëpyetje, domethënë është e dështuar në sensin që brenda 10 vitesh nuk arrin të bëhet dot”, shtoi Dervishi.

reforma territoriale dervishi

Lini një Përgjigje